Sekretari amerikan i Thesarit Gajtner nuk e ka të sigurt postin

Sekretari amerikan i Thesarit, Timoti Gajtner, nuk beson se do të mbetet në postin e tij, nëse presidenti Barak Obama rizgjidhet edhe për një mandat të dytë, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Gajtner, në një intervistë për Televizionin “Bloomberg”, tha se ka konsideruar dorëheqjen nga posti i tij që në gushtin e kaluar, pas zgjidhjes së betejës së Kongresit për rritjen e limitit të borxhit. Ai tha se nuk beson që presidenti Obama do t`i kërkojë të qëndrojë në rast se rizgjidhet si president.
Gajtner është i vetmi zyrtar i lartë që ka mbetur nga ekipi fillestar për ekonominë dhe për tre vjet ka qenë objektiv i shpeshtë i kritikave nga politika ekonomike e administratës.