Sekretari i Përgjithshëm i KiE: Jam i shqetësuar për situatën në ShqipëriNga Vizion Plus Flet Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland Zoti Sekretar i Përgjithshëm, cili është opinioni juaj në lidhje me situa
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sekretari i Përgjithshëm i KiE: Jam i shqetësuar për situatën në ShqipëriNga Vizion Plus
Flet Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland
Zoti Sekretar i Përgjithshëm, cili është opinioni juaj në lidhje me situatën aktuale në Shqipëri, krizën politike, mungesën e dialogut mes palëve dhe bojkotin parlamentar të opozitës?
Situata në Shqipëri më shqetëson shumë. Duket tashmë si një traditë shqiptare bojkotimi i punimeve të parlamentit nga ana e opozitës. Mua nuk më pëlqen kjo gjë, nuk mendoj se i shërben vendit dhe popullit. Opozita duhet të jetë në parlament dhe jo në rrugë, pasi Shqipëria përballet me shumë sfida, ajo do të hyjë në negociata me Bashkimin Europian, kërkon heqjen e vizave, hyrje të lirë në Europë për popullsinë, por ka edhe sfida të tjera ekonomike. Kështu që duhet më shumë bashkëpunim mes opozitës dhe pozitës, qeverisë.
A mendoni se klasa politike shqiptare nuk ka adoptuar një profil të pranueshëm politik?
Mendoj se ka ardhur koha për të qenë më të pjekur. Jam i ndërgjegjshëm për të kaluaren e vështirë të Shqipërisë, por në të njejtën kohë Shqipëria është pjesa e familjes europiane dhe një pjese e rëndësishme e demokracisë europiane është funksionimi i qeverive, partive në pushtet, partive në opozitë, të gjithë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur. E them këtë, pasi gjithmonë ka komplikacione politike, por jo në dëm të interesave të vendit, jo në dëm të interesave të publikut. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme për të gjitha forcat politike në vend që të përqendrohen më shumë te interesat kombëtare, sesa te konkurrenca mes tyre.
Cilat janë aktualisht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Këshillit të Europës. Besoj se jeni në dijeni të mungesës së gjysmës së delegacionit shqiptar në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Si parashikohet e ardhmja e këtyre marrëdhënieve dhe çfarë mund të bëjë Këshilli i Europës për të zgjidhur situatën?
Më vjen shumë keq që gjysma e delegacionit nuk mori pjesë në punimet e Asamblesë gjatë kësaj jave. Siç e thashë edhe më parë nuk më duket konstruktive që opozita nuk po merr pjesë në punimet e parlamentit në Shqipëri, por e njëjta gjë vlen edhe për këtu në Asamble, delegacioni duhet të ishte i plotë. Një gjë e tillë sigurisht që na shqetëson, absolutisht. Do të shikojmë dhe gjykojmë se çfarë mund të bëjmë ne për të asistuar Shqipërinë në tejkalimin e kësaj krize. Nuk e di me saktësi se çfarë duhet bërë, por mendoj se ka ardhur koha që forcat politike në vend të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe jo të kërkojnë ndihmë nga jashtë, nga të huajt.
Edhe për sa kohe do të vazhdojë monitorimi i Shqipërise nga ana e Këshillit të Europës, zoti sekretar?
Për sa kohë që të jetë e nevojshme. Uroj që gjërat të vazhdojnë konkretisht shumë shpejt, pasi gjithçka bëhet për të mbështetur institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut në vend.