Topi: Do kontaktoj Ramën e Berishën. Palët përforcojnë qëndrimet e tyre të kundërtaNga Tema UPDATE- Ndërsa Presidenti i vendit ka deklaruar se do të vendosë kontakte me drejtuesit e dy partive të mëdha në vend për një takim të mundshëm, kët
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Topi: Do kontaktoj Ramën e Berishën. Palët përforcojnë qëndrimet e tyre të kundërtaNga Tema
UPDATE- Ndërsa Presidenti i vendit ka deklaruar se do të vendosë kontakte me drejtuesit e dy partive të mëdha në vend për një takim të mundshëm, këta të dy kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Kryetari socialist, Edi Rama është shprehur se do pranohet vetëm hapja e kutive dhe hetimi i plotë i zgjedhjeve, ndërsa kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në një intervistë televizive se hapja e kutive nuk është e parashikuar në rezolutë, çka do të thotë që do merret në shqyrtim. Berisha tha se nuk ka njeri që e bën atë të marrë në shqyrtim vendimet e gjykatave.
***
Partia Socialiste bëri të ditur se tryeza me presidentin duhet të sjellë një komision me objekt të pakufizuar hetimi. Sipas deputetes Arta Dade, kur hetohet një krim, nuk ka kompromis me provat.
“Duke pranuar Rezolutën e Këshillit të Europës, pas përpjekjesh të dështuara për ta ndryshuar atë, Sali Berisha më në fund u detyrua të pranojë ekzistencën e krizës politike dhe zgjidhjen e saj në tryezën e Presidentit.
Partia Socialiste është e vendosur që kjo krizë të zgjidhet vetëm përmes negociatash në prani të Presidentit të Republikës që do të rezultojnë në ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar me objekt hetimor të pakufizuar të procesit elektroral të 28 qershorit.
Kur hetohet një krim, me provat nuk mund të ketë kompromis.
Për opozitën kutitë janë themeli i hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sali Berisha nuk do të mund ta pengojë kurrë me forcë këtë hetim, prandaj ne e ftojmë atë të reflektojë me seriozitet dhe të bëhet pjesë e transparencës që kërkon opozita, shqiptarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e të heqë dorë nga mjetet e vjetëruara për të keqinterpretuar rezolutën e Këshillit të Europës dhe të vonojë me argumenta falsë zgjidhjen e krizës,” tha Dade.
***
Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës njoftoi para pak minutash se: “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama.
Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”.
***
Raporteri i Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jaako Laakso tha për radion BBC se më 22 shkurt delegacioni i Këshillit të Europës do të jetë në Tiranë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës. Ai tha se do ketë një takim me përfaqësuesit e forcave kryesore politike. Laakso tha se ata mbështesin rolin e presidentit si ndërmjetës në zgjidhjen e krizës, dhe shtoi se këtë qasje ka gjithë komuniteti ndërkombëtar. Raporteri tha se ky nuk është një mision faktmbledhës pasi faktet tanimë dihen, por do mundohen për zgjidhjen e krizës, e cila sipas tij mund të acarohet. Laakso tha se fyerjet që përdoren në skenën politike shqiptare nuk i ka hasur askund tjetër. Ai tha se kjo duhet të marrë fund. Laakso tha se delegacioni që dërgoi Shqipëria në Asamble ishte gjysmak, ndaj ata kishin ftuar Sekretaren për Marrëdhënie me Jashtë në PS, Arta Dade për të parashtruar qëndrimin e opozitës para tyre. Intervista e plotë e Laakso ndodhet tek bbcalbanian.com.
***
Kryeministri Sali Berisha është shprehur para pak minutash se ai është i gatshëm që të ulet në një tryezë që do organizohet nga presidenti, por tha se ky i fundit duhet të përgatisë terrenin për këtë tryezë, që palët të mos shkojnë me lugë në brez, por të shkojnë aty për rezultat. Berisha tha se kjo gjë duhet bërë dhe në mënyrë që të mos ketë spekullime nga mediat.
***
Diplomatët e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nisur një seri takimesh me politikanët kryesorë në vend për të mundësuar nisjen e një dialogu që do çonte në zgjidhjen e krizës. Ambsadori i Komisionit Europian, Helmuth Lohan dhe ambasadori i Spanjës, vendit që mban presidencën e BE, Huan Manuel Montobio, kanë takuar kryeministrin e vendit, ndërsa ambasadori amerikane, John Withers, është takuar me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Nuk bëhet ende e ditur për detaje të takimeve. Palët nuk kanë bërë asnjë lëshim në drejtim të zgjidhjes së krizës, ndërsa dje tonet janë acaruar më shumë. Opozita kërkon hetim që përfshin hapjen e kutive, ndërsa mazhoranca e refuzon këtë gjë.
***
Partia Socialiste paralajmëron një miting madhështor në Tiranë në javët në vijim. Deputeti socialist, Ethem Ruka tha se Partia Demokratike nuk po shfaq vullnet për tu ulur në një tryezë që duhet të përfshijë dy krerët e partive më të mëdha në vend.
“PSSH rikonfirmon edhe njëherë vullnetin e saj për t’u ulur në tavolinën e dialogut me PD, nën drejtimin e Presidentit të Republikës ashtu siç është sugjeruar edhe nga rezoluta e fundit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Kjo tavolinë duhet të ulë përballë zotin Edi Rama, kryetar i PS dhe zotin Sali Berisha, kryetar i PD dhe kryeministër i vendit. Një tavolinë me nivele më të ulëta se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme as për ne, por besojmë as edhe për faktorin ndërkombëtar, madje nuk do t’i shërbente zgjidhjes së krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht.
Për fat të keq konstatojmë se Partia Demokratike, po dëshmon vullnet negativ për pjesëmarrjen në këtë tavolinë dialogu, duke vazhduar kështu të thellojë edhe më shumë krizën që ka pllakosur gjithë jetën e vendit.
Ne inkurajojmë Presidentin Topi për organizimin e kësaj tavoline dhe shpresojmë që ai do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta realizuar atë sa më parë. Dëshiroj që në emër të Partisë Socialiste të rikonfirmoj qartazi dhe pa asnjë ekuivok se PS me hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë e për pasojë as rikonfigurimin e parlamentit aktual. Synimi i vetëm i saj është garantimi i standardeve europiane në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme që garantojnë besnikërisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë,” tha Ruka.
“Partia Socialiste në përgjigje të vullnetit të qindra mijëra shqiptarëve që votuan për të, në javët në vijim do të organizojë më të madhin miting proteste demokratike që është organizuar ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar. Ky miting do të ketë vetëm një kërkesë “Hap kutitë ose largohu”!
Nga ana e saj, Partia Demokratike përsëriti qëndrimin e saj se nuk do lejojë hapjen e kutive. Nënkryetari Astrit Patozi tha se kryetari i PS, Edi Rama, po e lexon me syze të kuqe rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë.
“Duke sfiduar kerkesat e qarta te kesaj rezolute dhe duke i bere karshillek nje institucioni te rendesishem nderkombetar, ai po deklaron ne menyre te perseritur se nuk heq dore nga bojkoti pa hapjen e kutive, nderkohe qe nuk po nguron te kercenoje mazhorancen se do te rrezoje me protesta qeverine e saj legjitime. Partia Demokratike eshte shprehur ne menyre te qarte dhe te vendosur se pershendet dhe mbeshtet te gjitha kerkesat e rezolutes se Asamblese Parlamentare te Keshillit te Europes.
Ne jemi te gatshem qe mundesisht kete te enjte te nisim ngritjen e komisionit parlamentar qe do te hetoje zgjedhjet, duke pasur qellimin e mire te kthimit te opozites per te zene vendet e saj ne parlament. Gjithmone ne kete kontekst, partia Demokratike thekson gatishmerine e saj, per te mirepritur kontributin e Presidentit te Republikes dhe te cdo aktori tjeter, pa asnje lloj paragjykimi, duke verejtur se jashte rrafshit kushtetues, respektimit te shtetit ligjor dhe vendimeve te gjykatave mund te kete vetem nje dialog shterpe dhe asgje me shume se kaq.
Ne si mazhorance mbetemi serish te vendosur per te bashkepunuar me opoziten, sapo ajo te vendose te respektoje kushtetun e vendit, shtetin ligjor, dhe rregullat e lojes per nje vend demokratik. Por nderkaq, kercenimeve te vazhdueshme te zotit Edvin Kristaq Rama si dhe aludimeve te tij per vitin 1990, i pergjigjemi shkurt dhe prere: se ne qe permbysem eterit, nuk ka sesi te impresionohemi nga Bijte e Bllokut, te cilet me sa duket po u genjen mendja qe te hakmerren per disfaten e baballareve te tyre,” tha Patozi.