Mediu kërkon votën e qytetarëve të Beratit për një mandat të dytë qeverisës
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi elektoral në qytetin e Beratit, kërkoi votën e qytetarëve të këtij qarku për një mandat të dytë qeverisës për PR-në dhe qeverinë e djathtë. “Ne do të shkojmë të gjithë të votojmë më 28 qershor, do të shkojmë të votojmë për projektet tona, për vijimin e tyre, për ëndrrat tona, për fëmijët dhe familjen tonë të madhe shqiptare. Unë kam bindjen se Berati meriton përfaqësuesit më të mirë në politikë dhe besoj se Partia Republikane i ka gjetur më së miri këta përfaqësues. Partia Republikane ka qenë dhe do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës duke dhënë kontributin e saj në të vetmen mënyrë që ne republikanët dimë, me seriozitet dhe përkushtim. Gjatë mandatit të dytë ne do të kërkojmë me insistim zgjidhjen e çështjes së pronës, zgjidhja përfundimtare e kësaj çështjeje është për ne një detyrë përballë së drejtës”, - është shprehur gjatë takimit Mediu.
Basha premton asfaltimin e rrugës nga Klosi në Mollas
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, u ka bërë të ditur banorëve të Mollasit se së shpejti do të nisë shtrimi i rrugës nga Klosi deri në Mollas, për të vijuar në Selitë e për t’u lidhur më pas me rrugën nacionale. Gjithashtu, Basha ka bërë të ditur se qeveria do të subvencionojë naftën dhe imputet për sipërfaqen e mbjellë. “Prioritet tjetër madhor për këtë mandat është furnizimi 24 orë në ditë me ujë. Pasi zgjidhëm problemin e energjisë, mbetet furnizimi me ujë në të gjitha skajet e vendit”, - tha Basha, që i informoi banorët se është hapur tenderi për segmentin nga Klosi deri në qendër të Mollasit dhe kjo rrugë do të asfaltohet sipas parametrave që duhet. “Jo vetëm kaq, premtimi ynë është që brenda 12 muajve, nga Mollasi do ta çojmë deri në Selitë rrugën e asfaltuar dhe pjesë e këtij projekti do të jetë riasfaltimi deri në Gostim, ku lidhet dhe me rrugën nacionale”, - premtoi Basha.
Xhaferri dhe Vokshi në Spitallë: “Do të ndërtojmë rrugën nga Muzeumi në Porto Romano”
Kandidatët e PD-së në qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferri dhe Albana Vokshi, premtojnë para banorëve të Spitallës ndërtimin e rrugës nga Muzeumi deri në Porto Romano me një vlerë prej 2 miliardë lekësh. Xhaferri theksoi punën e arritur në këto katër vite të qeverisjes, duke veçuar anëtarësimin në NATO si arritjen më të madhe të këtyre katër viteve. “Premtimi ynë për mandatin e ardhshëm është liberalizimi i vizave, pasi çdo shqiptar ka nevojë të lëvizë lirshëm në vendet e BE-së që të takohet me të afërmit”, - tha ai në zonën e Spitallës duke renditur projektet e realizuara nga qeveria për këtë zonë. “Gjithashtu është planifikuar dhe rruga nga Muzeumi në Porto Romano, me një vlerë prej 2 miliardë lekësh. Në këto katër vite u investua në shumë projekte dhe gjatë mandatit të ri qeverisës, 2009-2013, të tjera projekte të rëndësishme do të realizohen në shërbim të qytetarëve në mbarë vendin”, - përfundoi Xhaferri.
16 Qershor 2009