E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s viziton Turqinë

Diplomatë të lartë thonë se Rasmusen shkon në Turqi të enjten, ku do të takohet me presidentin Abdullah Gul, kryeministrin Rexhep Taip Erdogan dhe me ministrin e Jashtëm Ahmet Davutoglu.

Ai po ashtu do të jetë i ftuar për një darkë iftari, kur besimtarët myslimanë hanë një darkë të bollshme, pasi kanë agjëruar gjatë ditës, sipas zakonit në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Kjo do të jetë vizita e parë e ish-kryeministrit danez Rasmusen në Turqi, që nga fillimi i detyrës në postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në muajin gusht.

Fillimisht zyrtarët turq e patën kundërshtuar emërimin e tij në postin e kreut të NATO-s, për shkak të daljes në mbrojtje të karikaturave që paraqisnin Profetin Muhamed, si dhe për mosndalimin e një televizioni me bazë në Danimarkë, me lidhje me separatistët kurdë.

Por Presidenti amerikan Barack Obama mundi ta bindë Turqinë të heqë dorë nga kundërshtimi i emërimit të Rasmusenit gjatë një takimi të NATO-s në muajin prill.
start/voa

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›