Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Schefer, viziton Kosovën
Një delegacion i Këshillit Veriatlantik, i kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Schefer, u takua dje në Prishtinë me zyrtarë të lartë vendas dhe ndërkombëtarë. Delegacioni i NATO-s u prit në takim nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Giuseppe Emilio Gay. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Scheffer dhe përfaqësuesit e Këshillit Veriatlantik u takuan edhe me udhëheqësit kosovarë, përfaqësues të komuniteteve pakicë dhe zyrtarët ndërkombëtarë. Vizita e delegacionit të NATO-s në Prishtinë bëhet në kohën kur autoritetet vendore kanë filluar procesin për shpërbërjen e trupave mbrojtëse të Kosovës dhe formimin e forcës së sigurisë, proces ky i udhëhequr nga Aleanca Veriatlantike. NATO, KFOR-i është në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Para vizitës në Kosovë, shefi i NATO-s ka thënë se është e paqartë se sa gjatë do t‘i duhet të rrijë KFOR-it. "Ne do të përmbushim mandatin tonë për sa kohë Këshilli i Sigurimit e konsideron këtë të nevojshme", ka thënë zoti Scheffer. "Dhe kjo do të thotë për sa kohë nuk do të ketë rezoluta të tjera që të zëvendësojnë 1244, NATO, KFOR-i do të ketë bazë ligjore për të qëndruar në Kosovë dhe do të qëndrojë", ka shtuar ai. Këshilli i Sigurimit do të diskutojë të premten për gjendjen në Kosovën dhe rikonfigurimin e misionit të Kombeve të Bashkuara. Një prej çështjeve që pritet të hapet në këtë debat, do të jetë edhe vendosja e EULEX-it, për të cilën po zhvillohen bisedime ndërmjet OKB-së dhe BE-së në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit do të marrin pjesë shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç.