E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton i dërgon një letër urimi zv.Kryeministrit Meta

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton në një letër dërguar sot zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta premtoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për integrimin Euro–Atlantik të Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, zoti Meta priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA-së nё Tiranё, John Withers, i cili i dorëzoi letrën e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, përmes të cilit ajo thekson angazhimin për thellimin e partneritetit të ngushtë mes SHBA dhe Shqipërisë. Gjatë takimit,  Ambasadori i SHBA në Tiranë, Withers siguroi z. Meta për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis SHBA dhe Shqipërisë. Ambasadori Withers vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në rajon, tashmë edhe si vend anëtar i NATO-s, si dhe politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal. Në letrën e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Klinton u shpreh për nxitjen e lirisë dhe begatisë në rajonin tonë dhe në gjithë botën. "Ky ka qenë një vit i rëndësishëm për partneritetin tonë. Ishte nder për Shtetet e Bashkuara që bashkë me aleatët e saj të NATO-s mirëpriti Shqipërinë në Aleancë gjatë këtij viti, një reflektim ky ndaj kontributeve pozitive të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global", vijon letra. "Ju uroj sukses të plotë në detyrën tuaj të re dhe pres me kënaqësi të punoj së bashku me ju, në mbështetje të objektivave  të përbashkëta të të dy vendeve tona për një Europë Juglindore stabël dhe paqësore, dhe për të çuar më tej sigurinë dhe vlerat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë botën", thuhet në këtë letër. Nga ana e tij, z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të SHBA-së dhe theksoi gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›