Sekretet e Barcelonës

Fabrika e yjeve të Barcelonës ka një linjë prodhuese, të cilës ia ka zili e mbarë bota. Ekipi i trajnerit Pep Guardiola është quajtur “skuadra më e mirë e të gjitha kohërave”, pas suksesit të tyre të jashtëzakonshëm në tri vitet e fundit.
Lionel Messi, Andres Iniesta, Carles Puyol, Victor Valdes, Pedro, Xavi, Gerard Pique, Sergio Busquets, Bojan Krkic dhe Jeffren të gjithë kanë depërtuar nga sistemi i të rinjve.
Secili prej tyre është produkt i asaj që Barcelona e quan ‘futbol base’. Sot ajo numëron 330 fëmijë, qindra të punësuar dhe i kushton klubit rreth 10 milionë funte në vit.
Qendra e saj është La Masia, një shtëpi e ndërtuar pranë stadiumit Nou Camp, ku 60 talentet më të mëdhenj, familjet e të cilëve jetojnë në qytete të largëta apo edhe jashtë vendit, qëndrojnë me shpresë të depërtojnë në ekipin e parë.
Shtëpia ka një dhomë dreke, gjashtë dhoma të fjetjes, një librari, një dhomë me kompjuterë dhe një dhomë të rekreacionit. Vetëm 12 prej fëmijëve flenë në ndërtesë.
Pjesa tjetër kanë dhomat e fjetjes në katin e parë të stadiumit. Messi, Iniesta, Puyol, Valdes dhe Pedro jetuan me vite në La Masia. Krkic dhe Jeffren ishin po ashtu banorë, ndërsa Xavi shkonte atje për të ngrënë në mënyrë që klubi të monitoronte dietën e tij.
Pique dhe Busquets jetuan me familjet e tyre në qytet. Guardiola kaloi vite në La Masia para se të bëhej legjendë si futbollist. Njësoj edhe asistenti Tito Vilanova dhe njeriu i cili sot udhëheq sistemin e të rinjve, Guillermo Amor, një tjetër ish reprezentues spanjoll.
Të tre ishin anëtarë të gjeneratës 1986-87. Pas më tepër se një çereku të dekadës, ata sigurojnë vazhdimësinë e ekzekutimit të filozofisë sportive dhe njerëzore, që është krijuar brenda gjigantit katalan.
Banor të mëparshëm të La Masia ishin edhe kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, mesfushori i Evertonit, Mikel Arteta dhe mesfushori i Atletico Madridit, Fran Merida. Lista nuk ka mbarim. Albert Folguera, kreu i La Masia, tregoi qasjen e klubit.
“Është një sistem i drejtorit, mësuesve, një doktori, një psikologu, kuzhinierëve dhe punëtorëve. Janë tre mësues që punojnë çdo mëngjes me fëmijët. A kemi probleme në adaptimin e disa fëmijëve? Sigurisht. Ata vijnë këtu në moshën 12 vjeç dhe janë larg familjeve të tyre. Është vështirë, por është pjesë e procesit”, tha Folguera për tabloidin anglez The Sun.
“Për Iniestan muajt e parë ishin të vështirë. Atij i mungonte familja, që ishte 700 kilometra larg në Albacete. Njësoj edhe Leo Messi. Nëna dhe vëllai i tij ishin në Argjentinë. Ai ishte vetëm 12 vjeç, kishte probleme në rritje dhe nuk mund të luante në ndeshje zyrtare për një vit, pasi kishte problem me dokumentacion. Kjo e shkatërronte. Victor Valdes u desh të kthehej në shtëpi pas vetëm një sezoni. Atij i mungonte shumë familja”, shtoi ai.
Për çudi, shumica e ditës kalohet në studime të shkollës. Vetëm dy orë në mbrëmje janë të përkushtuara për stërvitje “gjithmonë me top”.“Kjo është periudha më e mirë për La Masia prej krijimit të saj më 1979 dhe në histori të Barcelonës”, theksoi Folguera.
Jashtë dritareve, e vetmja gjë që mund të shihet gjatë orëve të gjata të studimeve dhe mësimeve shtesë, të gjitha të paguara nga klubi, është stadiumi Nou Camp. Një ëndërr që është sa afër, aq edhe larg.
Konkurrenca është e madhe, pas vlerësimit se meritojnë të hyjnë në sistemin e të rinjve, disa prindër ngulmues kërkojnë që fëmijët e tyre të vazhdojnë drejt në shkallën më të lartë. Për këtë arsye, klubi ua ka pamundësuar atyre të përcjellin stërvitjet.