E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka klub më të madh se Reali

Nga Express më 12 shkurt 2011 në ora 11:59

Pozita e Real Madridit në garë për titull në La Liga nuk është edhe aq premtuese. Ekipi gjendet në vendin e dytë në tabelë, me shtatë pikë më pak se lideri Barcelona.

Mirëpo, ata kanë kaluar në finale të Copa del Rey si dhe fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Në finalen e Kupës do të përballet me Barcelonën, ndërsa në garën elite të kontinentit evropian do të ndeshet me Olympique Lyonin.

Edhe këtë sezon motor i lojës së Realit është Cristiano Ronaldo, i cili deri më tani gjatë këtij sezoni në La Liga ka realizuar 24 gola. “Nuk ka klub më të madh në botë se Real Madridi. Jam i impresionuar në çdo shikim dhe kënaqem të jem pjesë e gjithë kësaj”, tha Ronaldo për radio Cadena Ser.

“Shpeshherë përballem me kritika për mungesë të angazhimit, por ju them se çdo herë hyj në fushë për të dhënë maksimumin”, shtoi ylli portugez i cili është kritikuar edhe për simulime.

“Nëse do të kisha mundësi, do t’ju tregoja këmbët e mia se sa goditjen e kundërshtarëve e marrin ato. Thonë se shpesh i ankohem gjyqtarit, por kjo ndodh vetëm për sigurinë time. Më besoni kam arsye për t’u ankuar, ndërsa kurrë nuk kam qenë futbollist që i kthen gjërat në fushë. Kurrë nuk kërkoj hakmarrje me ndërhyrje”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›