Vajushi: Më vjen keq, Liteksi më ndalon zborin kuqezi!
Sipas talentit shkodran Armando Vajushi, stërvitja në Bullgari mund të pengojë pjesëmarrjen në zborin e De Biazit
Armando Vajushi është në qiellin e shtatë. Talenti shkodran, i cili pak ditë më parë fitoi edhe çmimin Lojtari i vitit në Shqipëri, tashmë është pjesë e Liteksit, skuadër e famshme në Bullgari. Por kjo ka pasur edhe anën e saj të keqe: firma me Liteksin e pengon Vajushin të jetë pjesë e zborit të trajnerit De Biazi.
Një mundësi e shpërdoruar, por që Vajushi ka bindjen se do të ketë të tjera mundësi për të treguar cilësitë që disponon. Në një bisedë me gazetën, biondi nga Shkodra ndjen keqardhje që mund të mungojë në grumbullimin e më të mirëve të superligës, sipas listës së hartuar me disa futbollistë të kampionatit shqiptar.
Armando, si ndiheni pas largimit tuaj nga Vllaznia pas firmës së hedhur me skuadrën bullgare Liteks?
Nuk më vjen mirë që e lashë Vllazninë në këto momente jo të mira. Por mendoj se për mua ishte vendimi i duhur dhe jam shumë i lumtur që firmosa me një ekip si Liteksi. Flas këtu për karrierën time, por Vllaznia mbetet gjithnjë zgjedhja e zemrës sime, por duhet të mendoj edhe për të ardhmen. Shpresoj të kem bërë selektimin e duhur.
Tani që jeni pjesë e një skuadre bullgare do ta keni të vështirë të jeni pjesë e zborit të trajnerit De Biazi?
Mendoj që po, pasi nuk mendoj se do më japin leje fuksionarët e klubit, sepse të hënën skuadra grumbullohet për 8 ditë dhe nuk besoj se mund të bashkohem me kombëtaren. Është e vështirë për mua të jem pjesë e zborit, pasi sapo kam futur këmbët këtu.
A është një minus për ju, pasi trajneri De Biazi sdo të ketë mundësi tju t shikojë nga afër?
Sigurisht, është një minus, po shpresoj të më thërrasin në grumbullimet tjera. Edhe mua nuk më vjen mirë që sdo jem pjesë e zborit. Por besoj se do të ketë mundësi të tjera për të treguar kualitetin tim. Nëse jap më të mirën tek Liteksi, trajneri do të ketë mundësi të më shikojë.
Nëse afroheni tek kombëtarja e madhe, do ti harroni Shpresat?
Nuk do ti harroj Shpresat, sepse aty mora eksperiencën dhe shiritin e kapitenit. Ndoshta në ndeshjet e fundit që kemi me Rusinë dhe Portugalinë, por edhe me Moldavinë, do të jem edhe unë pjesë e saj, nuk i dihet.
Edhe pse është ende herët, a mund të na thoni për impaktin e parë me ambjentin tek Liteksi?
Këtu është një ambient shumë i mirë. Vend i qetë, plus që më kanë pritur shumë mirë dhe i falënderoj për çdo gjë. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që kam firmos për Liteksin. Prezantimi mund të jetë edhe nesër, pra të dielën, nuk e di me siguri.
Cili është mesazhi juaj për tifozërinë shkodrane?
I falënderoj jashtëzakonisht shumë për mbështetjen dhe për çdo gjë që kanë bërë për mua! Në veçanti tifo-grupin Vllaznit Ultras, që janë të paparë. Ata më kanë mbeshtetur në momente të mira dhe jo të mira.
