E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballimi i krizës, mision i mundur

Nikollaq Neranxi 

Jo për të qenë optimistë pabaza, por e vërteta është se,pavarësisht vështirësive ekonomike ekzistuese, por edhe ndikimit të krizës botërore, me një vullnet të mirë të të gjithë institucioneve përgjegjëse dhe bashkërendimit të punës mes tyre, rrugët për t’ia dalë mbanë gjenden. Le të analizojmë në fillim se ku janë pikat e dobëta të ekonomisë shqiptare dhe çfarë sektorësh të ekonomisë kanë nevojë për ndërhyrje të shpejtë, në mënyrë që kriza të përballohet sa më lehtë.
E kam thënë disa herë dhe ia vlen të përsëritet, politikat fiskale të zbatuara deri tani, nuk e ndihmojnë aspak biznesin vendas e për pasojë edhe konsumatorin. Sot, TVSH-ja e parapaguar ka krijuar probleme të mëdha dhe një kaos të madh në treg. Të gjithë ata biznese që kërkojnë të punojnë në rrugë të ndershme, duke paguar të gjitha detyrimet në shtet, janë të destinuar që të falimentojnë. Bizneset e mëdha dhe të konsoliduara duhet që krahas përballimit të konkurrencës natyrale, të përballen edhe me bizneset informale. Shteti duke mos i kërkuar biznesit të vogël faturat e mallrave, por vetëm xhiron e tyre, automatikisht lejon konkurrencën e pandershme. Prandaj duhet ndërhyrë urgjentisht në gjetjen e një mekanizmi tjetër të pagimit të TVSH-së mbasi malli shitet, uljen e tij në masën 5% për artikujt e shportës, aq sa ç’e kanë vendet e Europës dhe ata të rajonit si dhe kontrollin mbi faturat e mallrave tek biznesi i vogël. Vetëm këto masa do të sillnin në shtratin normal marrëdhënien mes biznesit të madh, atij të vogël dhe konsumatorit. Dhe natyrisht, konkurrenca do të ishte e ndershme, do t’i mbyllej rruga informalitetit, daljes në treg të mallrave të pakontrolluara për cilësinë dhe standardet e tyre si dhe do të uleshin çmimet, duke bërë që konsumatori të blinte mallra 15% më lirë, por edhe të sigurta e të kontrolluara. I vë në plan të parë dhe emergjent këto masa, pasi sektori privat punëson 84.8% të shqiptarëve përkundrejt 15.2% që arrin të punësojë sektori shtetëror. Detyra e një shteti është që nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe miratimit të një kuadri ligjor, t’i mundësojë sipërmarrjeve private që të zhvillojnë aktivitetin e tyre normal dhe të punësojnë sa më shumë njerëz.
Një tjetër problem emergjent që kërkon zgjidhje, është ai i pronave. Pavarësisht se kryeministri pak ditë më parë u justifikua në një program televiziv, me pretekstin se ka gjetur një mal me dokumente false pronësie dhe nuk po i jep dot drejtim këtij problemi, e vërteta është se mungon vetëm vullneti për ta çuar këtë proces jetik deri në fund. Ne nuk mund të presim që këtë problem të na e zgjidhin disa forca të mbinatyrshme. Duke shkuar prona tek i zoti, ekonomia do të marrë menjëherë frymë, pasi e gjitha kjo do t’i çelte rrugë investimeve të reja, qarkullimit të parasë dhe do t’i hapte rrugë kthimit të shumë emigrantëve në vendin e tyre, pasi shumica prej tyre kanë akoma të pazgjidhur problemet e pronës, prandaj dhe nuk janë fare të motivuar për t’u rikthyer. Dihet se prona është ajo që të mban të lidhur me vendin tënd. Dhe natyrisht këto kthime do të shoqëroheshin me investime të mëdha, pasi do të arrinim të thithnim të gjitha ato të ardhura që ata kanë kursyer për vite me radhë në emigracion. Nuk duhet harruar se remitancat sot kapin shifrën 1 miliard euro në vit, dhe ato janë vetëm një pjesë e parave të kursyera, të cilat vijnë nga emigrantët si ndihmë për të afërmit e tyre. Mendoni pak sikur ata të vinin e të shpenzonin çdo qindarkë të tyre në këtë vend. Përveç kësaj, duke zgjidhur kaosin e pronave, do të kishim mundësi të thithnim investimet e huaja, pasi një investitor nuk mund të vijë në një vend ku shteti ka akoma konflikt pronash me pronarët e ligjshëm. Por edhe bankat do të njihnin një moment lulëzimi, pasi do të kreditonin më shumë klientë, sidomos në këto momente, kur njerëzit më shumë po tërheqin para sesa po kërkojnë, si pasojë edhe e frikës nga kriza. Një sektor shumë i rëndësishëm për rritjen tonë ekonomike, turizmi shqiptar do të mund të merrte një hov të paparë, njëlloj si vendet fqinje, duke thithur të ardhura nga turistët, të cilat konvertohen në një jetë më të mirë për të gjithë, jo vetëm për privatin. Përtej demagogjive dhe reklamave që na tregojnë se po bëhet nami me turizmin shqiptar, e vërteta është se ne jemi vendi i parafundit në Europë përsa i përket zhvillimit të turizmit, shifër kjo e bërë publike pak ditë më parë nga një studim i një organizate ndërkombëtare.
Këto janë dy lëvizje shumë të rëndësishme që do të sillnin një progres të madh ekonomik dhe rikthimin e besimit tek institucionet e shtetit shqiptar dhe mbi të gjitha do ta bënin shumë më të lehtë përballimin e krizës. Sot, qeveritë e të gjitha shteteve, përfshirë edhe ata të vendeve fqinje, po marrin masa konkrete për të përballuar krizën. Madje, ata kanë kërkuar bashkëpunim me opozitën, me partnerët socialë, me botën akademike dhe shoqërinë civile si dhe me organizmat financiare ndërkombëtare, në mënyrë që të gjithë së bashku të bashkërendojnë punën për të përballuar krizën. Shpresojmë që kryeministri Berisha të na tregojë për masat konkrete që ka marrë edhe qeveria e tij për ta përballuar këtë krizë, në interpelancën e thirrur nga LSI në Parlamentin shqiptar. Kështu të gjithë shqiptarët do të mund të mësojnë se sa të mbrojtur do të jenë ekonomikisht nga qeveria që po drejton vendin. Kjo situatë është prova e radhës që Berisha me ekipin e tij të veprojë me masa konkrete, duke lënë mënjanë demagogjitë që sot nuk i hynë në punë askujt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›