E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë lë të pa ndryshuar normën e interesit 6.25 përqind

/>Inflacioni për nëntorin 2.6 përqind
Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar nivelin e normës së interesit në 6.25përqind. Ndërkohë që po sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni gjatë muajit nëntor ka qendruar në nivelin e 2.6 përqindëve.  
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 24 dhjetor 2008, mori në analizë zhvillimet më të fundit në inflacion, në aktivitetin ekonomik të vendit dhe në tregun financiar. Pasi u njoh me ecurinë e treguesve më të fundit në këtë drejtim, si dhe duke vlerësuar ecurinë e parashikuar të tyre në periudhën afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor. Ky vendim mbështetet në parashikimet për presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën e ardhme, në kushtet e qëndrueshmërisë së balancave makroekonomike si dhe të pritjeve për inflacionin të ankoruara pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Norma vjetore e inflacionit gjatë muajit nëntor shënoi vlerën 2.6 për qind, duke qenë afër objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, ruajtja e normës së inflacionit rreth nivelit të synuar prej 3 për qind është rezultat i përshtatshmërisë së kushteve monetare, të krijuara nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe masat rregullatore të marra prej saj, i ambientit të përshtatshëm makroekonomik, të karakterizuar nga kontrolli i balancave fiskale dhe asaj të sektorit të jashtëm të ekonomisë, si dhe nga ankorimi i pritjeve inflacioniste në ekonominë vendase. Inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë në rënie gjatë tre muajve të fundit, kryesisht si pasojë e uljes së çmimeve të lëndëve të para dhe të konsumit në tregjet botërore. Kontribuesi kryesor në normën vjetore të inflacionit ishin kategoritë ushqime të përpunuara, shërbime dhe çmime të administruara. Gjatë muajit nëntor u regjistruan nivele të ulëta të inflacionit bazë, duke u luhatur rreth një mesatareje prej 2.4 për qind. Rënia e normave të inflacionit bazë dhe të inflacionit të produkteve të patregtueshme, si edhe qetësimi i efekteve të goditjeve të ofertës sugjerojnë se presionet inflacioniste janë zhvendosur në kahun rënës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›