E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria merr vendimin për krijimin e Drejtorisë së Hetimit Tatimor



Qeveria ka vendosur që të ngrejë një strukturë të re brenda Administratës Tatimore e cila do të ketë funksionin e hetuesit për të gjitha rastet kur vërehen paregulsi dhe shkelje në marrdhëniet mes kësaj administrate dhe biznesit. Në mbledhjen e saj të djeshme qeveria mori vendimin për ngritjen e Drejtorisë së Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo strukturë do të jetë përgjegjëse për drejtimin, në mënyrë të unifikuar të strukturave të hetimit tatimor. DHT-ja varet nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Operacional dhe përgjigjet para drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për të gjithë veprimtarinë e strukturave të hetimit tatimor. DHT-ja ka detyrë të: a) parandalojë, zbulojë, dokumentojë e ndërpresë veprimtarinë kriminale në fushën e tatimeve dhe të taksave, si dhe të bëjë hetimin paraprak të veprave penale, që parashikohen në nenin 131, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, në nenet 180-182, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Hetimi paraprak kryhet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale; b) bëjë rekomandim për drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, për marrjen e masave në mbrojtje të sistemit tatimor nga mashtrimet, evazioni fiskal dhe veprimtaria kriminale; c) mbledhë, përpunojë, ruajë, analizojë, shfrytëzojë dhe shpërndajë informacionin për shkeljet e dyshuara, të mundshme ose faktike, në fushën e tatimeve dhe të taksave nga subjektet tatimpaguese. Mbledhja, dokumentimi, ruajtja e shfrytëzimi i informacionit bëhen në përputhje me rregullat e miratuara nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, duke zbatuar rregullat e ruajtjes së sekretit; ç) marrë të dhëna nga burime legale ose nga bashkëpunimi i fshehtë me individë. Bashkëpunimi i fshehtë me individë, shtetas shqiptarë apo të huaj, bëhet kurdoherë me marrëveshje, në bazë të vullnetit të lirë, pa shpërblim ose me shpërblim, duke ruajtur, kurdoherë, sekretin e marrëveshjes dhe të informacionit; d) bashkëpunojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, njësinë e pastrimit të parave, Policinë e Shtetit dhe shërbimet e tjera inteligjente, duke shkëmbyer informacione, duke dhënë ose marrë ekspertiza të kualifikuara, në funksion të zbulimit të krimeve në fushën e tatimeve, pastrimit të parave etj. Për këtë ajo cakton punonjës të specializuar, për të bashkërenduar punën me këto institucione. Punonjës të autorizuar të DHT-së kanë të drejtë të thërrasin për të pyetur përfaqësues të subjektit tatimpagues, dëshmitarë ose shtetas të tjerë, që kanë dijeni për vepra penale në fushën e tatimeve dhe të taksave. Këta punonjës mund të këqyrin objektet ku ndodhen dokumentet dhe mallrat, që shërbejnë si burim prove për hetim, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale dhe duke hartuar dokumentet e duhura, që parashikon ky Kod. Punonjësit e njësive të hetimit tatimor për gjurmimin dhe hetimin e veprave penale, fiksimin dhe dokumentimin e provave, përdorin mjete teknike dhe elektronike, të posaçme. Llojet e mjeteve dhe rregullat e përdorimit të tyre përcaktohen nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Drejtuesit e strukturave të tjera, brenda sektorit tatimor, bashkëveprojnë me DHT-në, duke dërguar atje materiale dhe informacione për subjekte të veçanta tatimpaguese, për të cilat dyshohet se mund të kryejnë ose kanë kryer evazion fiskal ose mashtrim tatimor. Fondi për shpërblimin e burimeve njerëzore me të cilët ka marrëveshje për bashkëpunim të fshehtë, caktohet zë më vete në buxhetin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Rregullat dhe masat e shpërblimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›