Obama: Gaddafi duhet të largohet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka bërë thirrje sërish udhëheqësit libian, Muammar Gaddafi, të largohet nga pushteti.
Në konferencën për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan tha se Gaddafi e ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr.
“Ne do të vazhdojmë të dërgojmë një mesazh të qartë: dhuna duhet të marrë fund. Muammar Gaddafi e ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr dhe duhet të largohet. Ata që kanë kryer dhunë kundër popullit libian, duhet të japin përgjegjësi. Aspiratat e popullit libian për liri, demokraci dhe dinjitet duhet të përmbushen”, tha Obama.
Ai kumtoi se ka miratuar përdorimin e aeroplanëve luftarakë të SHBA-ve për të marrë refugjatët egjiptianë në kufirin e Libisë me Tunizinë.
“Ne gjithashtu po u përgjigjemi me shpejtësi nevojave urgjente humanitare. Dhjetëra mijëra njerëz nga vende të ndryshme po largohen nga Libia. Ne çmojmë qeveritë e Tunizisë dhe Egjiptit për reagimin, me gjithë faktin se edhe ato janë në gjendje tranzicioni”, tha Obama. /rel/