E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrimet detyrojnë 600 kreditorët të shlyejnë detyrimet

03/04/2009  “Të varfërve” u zbulohen prona dhe llogari bankare, të cilat u janë bllokuar

Problematikë, vetëm emigrantët. Kërkime për gjetjen e adresave të tyre

KORÇE- Vendimet e gjykatave, sekuestrimet, bashkëpunimi me zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bashkëpunimi me bankat, por edhe një sërë masash të tjera po detyrojnë çdo ditë e më shumë gjithë huamarrësit e rajonit të Korçës që t’u përgjigjen detyrimeve të tyre të pashlyera ndaj Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK) në Korçë. Çdo ditë e më shumë po zbulohet se mjaft prej huamarrësve ose janë larguar jashtë vendit, ose janë shpërngulur në zona të tjera, në kryeqytet, bregdet, zona fushore apo qendra të tjera më të mëdha urbane, ku me kreditë e tërhequra ose kanë hapur aktivitete të tjera, kanë ndërtuar objekte apo kanë investuar në drejtime të tjera, por duke synuar në vazhdimësi mosshlyerjen e kredive të tërhequra, edhe pse gjatë gjithë kohës i kanë patur mundësitë. Për të gjitha këto arsye, huamarrës të tillë janë vendosur përballë organeve të drejtësisë dhe sekuestrimeve, madje ka patur raste edhe kur u janë bllokuar llogaritë bankare, çka tregon që edhe pse kishin patur mundësi financiare për shlyerje, nguronin ta bënin atë, duke shpresuar gjithnjë në një falje të mundshme, ose të përfolur për një mundësi të tillë nga vetë ata. Problematikë vazhdojnë të mbeten ata huamarrës që ndodhen jashtë vendit, por aktualisht po punohet për gjetjen e adresave të tyre, ku edhe këta të fundit do të gjenden përballë masave shtrënguese të parashikuara nga ligji. Nga 600 huamarrës që numëron aktualisht ky rajon, 50 prej tyre tashmë gjenden në përfundim të procedurave për likuidimin e të gjitha detyrimeve të prapambetura deri më sot, ndërsa 200 të tjerë, kanë nisur të sillen njësoj si 50 të parët, duke iu nënshtruar të gjitha procedurave për shlyerjen e kredive. Një arsye më shumë për nxitjen e huamarrësve në likuidimin e plotë të kredive, ka qenë dhe një vendim i qeverisë, i cili për të gjithë ata që kanë tërhequr një kredi deri në 3 milionë lekë, u falë të gjitha interesat, duke u kërkuar vetëm shlyerjen e principalit, ndërsa për të gjithë ata që kanë tërhequr një kredi mbi 3 milionë lekë, falja e interesave shkon në 90%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›