E Diel, 1 Nëntor 2026

Dollarë fals, policia kap 3 të rinj që po i shkëmbenin në bankë

03/04/2009  Antikrimi ekonomik në kryeqytet në aksionin “Eurobank”, pas disa denoncimeve

TIRANE- Tre persona kanë përfunduar pas hekurave, pasi policia e Tiranës kreu ndalimin e tyre në flagrancë duke shkëmbyer pranë një banke të nivelit të dytë një sasi prej 300 dollarësh të falsifikuar. Ngjarja ndodhi në rrugën e Kavajës ku si rezultat i bashkëpunimit të Patrullës së Përgjithshme të komisariatit nr. 3 dhe nr. 6, janë vënë në pranga shtetasit Hasan Dardha 24 vjeç, Altin Plaku 23 vjeç dhe Hekuran Curri 25 vjeç. Të tre këta persona kishin zgjedhur një mënyrë krejt të papërshtatshme për të jetuar, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata siguronin në rrethana ende të mistershme kartëmonedha të falsifikuar (lek, euro, dollar), të cilat i shkëmbenin me para të pastra në sportelet e disa bankave në kryeqytet. Mendohet se kjo strategji është kryer disa herë nga të arrestuarit, por aktualisht burimet nuk japin të dhëna mbi hetimin pasi specialistët e policisë dhe Prokurorisë po vazhdojnë punën për të zbuluar origjinën e parave të falsifikuara. Burimet pranë njësisë hetimore Task-Forcë thanë se dyshohet për një laborator falsifikimi, pasi shuma e parave që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale kap shifrën financiare prej rreth 3550 euro. Nisur nga disa kallëzime penale si dhe nga informacionet operative të agjentëve civilë, seksioni kundër krimit ekonomik ka filluar hetimet kryesisht mbi aktivitetin e disa persona që dyshoheshin se falsifikonin kartëmonedha. Rrethanat dhe aktiviteti kriminal i personave të dyshuar, ka detyruar specialistët që në kohë “rrufe” të organizojnë operacionin e koduar me emrin “Euro Bank”, në prangat e të cilit ranë tre shtetasit e lartpërmendur. I pari që është ndaluar nga policia është shtetasi Hasan Dardha nga Ndroqi, i cili ishte në momentin e këmbimit të shumës së parave prej 300 $ të dyshuar të falsifikuar, pranë bankës EMIPRI në rrugën e Kavajës. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit Dardha, ju gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 2000 $ USA, të prerjes 100 $ USA, të falsifikuar. Nga puna e kryer rezultoi se këtë shumë dollarësh të falsifikuar shtetasit Hasan Dardha, ja kishin dhënë paratë me qëllim për t’i këmbyer shtetasit Altin Plaku nga Shijaku dhe Hekuran Curri nga Ndroqi. Po ashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Altin Plaku, ju gjetën dhe ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 1250 euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Lidhur me çështjen në fjalë janë vënë në lëvizje edhe specialistët e Prokurorisë së Tiranës, të cilët po kryejnë veprime hetimore për të zbardhur origjinën e kartëmonedhave të falsifikuara. Aktualisht mbi të arrestuarit rëndon akuza e “falsifikimit të monedhave”.

Në praninë e avokatit

Dëshmia e të kapurve në polici

Në praninë e avokatëve mbrojtës tre personat e arrestuar Hasan Dardha, Altin Plaku dhe Hekurran Curri janë marrë në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë. Të ndarë nga njëri-tjetri të dyshuarit e sipërcituar fillimisht janë shprehur se nuk e dinin që sasia e monedhave ka qenë e falsifikuar. Por gjatë insistimit të prokurorëve ata kanë dhënë deklarime duke hedhur akuza në drejtim të njëri-tjetrit. 24-vjeçari Hasan Dardha është shprehur përpara grupit hetimor, se sasinë prej 2300 dollarësh e kishte marrë nga dy shtetasit e tjerë të arrestuar. Dardha ka pohuar se nuk ka pasur asnjë informacion nëse ato para ishin false apo jo.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›