Sekuestro tragetit, 200 pasagjerë bllokohen në Brindisi
Rreth 200 pasagjerë , kryesisht shqiptarë vazhdojnë të jenë të bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme në portin e Brindisit, pas sekuestros që i është vënë tragetit Ionian Spirit i kompanisë “Agoudimos Lines ” nga autoriteti portual, për shkak të një borxhi të papaguar.
Sipas Corriere della Sera kjo situatë pritet të marrë fund mbrëmjen e sotme, ku pasagjerët mund të udhëtojnë drejt Vlorës me një traget tjetër.
Trageti me 200 pasagjerë, mes tyre gra dhe fëmijë duhet të ishte nisur nga Brindisi për në portin e Vlorës, që mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00. Të gjithë pasagjerët janë detyruar të kalojnë natën në bordin e një trageti tjetër, Red Star 1 , në pritje të zhbllokimit të situatës.
Pak para nisjes së Ionian Spirit është njoftuar se Gjykata e Brindizit, me kërkesë të Autoritetit Portual, ka urdhëruar konfiskimin e tragetit Ionian Spirit, anije që lidh Brindizin me portin e Vlorës. Kjo mase ka ardhur pas mospagimit të shumës që kompanitë duhet t’i paguajnë Entit portual në mënyrë që të marrin një shërbim cilësor dhe me efikasitet.
Autoriteti Portual u ka kërkuar ndjesë pasagjerëve për situatën e krijuar dhe për orët e pritjes, duke shtuar se, ka qenë i detyruar të marrë këtë masë ndaj Ionian Spirit, e cila për vite të tëra nuk ka respektuar dispozitat ligjore, përkundër thirrjeve të njëpasnjëshme.