E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen 180 kg hashash në Igumenicë, në kërkim poseduesi

Sekuestrohen 180 kg hashash në Igumenicë. Policia greke gjatë një operacioni antidrogë ka bërë të mundur sekuestrimin e 180 kg lëndë narkotike, të llojit hashash në kufirin shqiptaro-grek ,në afërsi të Filatit Igumenicë. Gjatë një kontrolli rutinor të ndërmarrë nga efektivët greke në pikën kufitare, një automjet nuk i është bindur urdhërit të të ndalesës.

Ka mjaftuar kjo, që policia greke të vihet në alarm, duke u vënë në ndjekje të automjetit deri në aksin rrugor Asproklis-Sajadhe. Në këtë moment drejtuesi i mjetit e ka braktisur makinën e tij dhe është futur në tokën shqiptare. Gjatë kontrollit të ushtruar më pas në automjet është gjetur dhe sasia e drogës që po transportohej, ku është bërë dhe sekuestrimi i saj.

Menjëherë policia greke ka vënë në dijeni autoritetet e policisë shqiptare lidhur me këtë rast, për të vazhduar ndjekjen e poseduesit të drogës në arrati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›