Zjarr në një punishte druri, raportohen vetëm dëme materiale

Një magazinë në të cilën prodhoheshin dyer dhe dritare është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës ku rezultojnë vetëm dëme materiale dhe jo në njerëz. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrëfikëset, të cilat kanë nisur punën dhe pas disa minutash tre automjetet kanë arritur të vendosin zjarrin nën kontroll, duke bërë të mundur më pas edhe shuarjen e tij.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forca të shumta të policisë së komisariatit Nr. 6 në Tiranë për të bërë të mundur më pas edhe nisjen e hetimit për shkaqet e zjarrit. Pista e parë e hetimit mbetet ajo e një zjarri aksidental, por nuk përjashtohet as pista e një zjarrvënie të qëllimshme, e cila fatmirësisht ka pasur vetëm dëme materiale, pasi zjarri nuk është përhapur.