E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në autostradë, digjet fabrika e hidro-sanitareve



Një zjarr i madh ka rënë ditën e djeshme në firmën “Henri” sh.p.k., ndërsa ka rrezikuar edhe dy ndërtesa të tjera, si dhe stacionin elektrik të Kasharit, që ndodhet aty pranë

Një zjarr i madh ka rënë në një fabrikë në autostradën Tiranë-Durrës, duke djegur një fabrikë hidro-sanitaresh, me një dëm prej miliona eurosh. Ngjarja nisi në magazinën e firmës “Henri”, ndërsa u rrezikuan edhe dy magazina të tjera, si dhe një stacion elektrik që ndodhet shumë pranë vendit. Zjarrfikëset shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nisën nga puna për të shuar zjarrin. Sipas pronarit të firmës, dëmi i shkathuar kap vlerën e miliona eurove. Megjithatë, vlera e saktë do të jepet pas llogaritjes totale të bërë. Në ndihmë të zjarrfikësve nga Tirana erdhën edhe mjete të tjera nga qyteti i Durrësit dhe i Krujës. Si pasojë e rënies së zjarrit u bllokua për disa orë trafiku, në njërën anë të rrugës. Vetëm në mbrëmjen e djeshme pas disa orësh u arrit që të shmangej rreziku dhe të shuheshin flakët. Materialet brenda në fabrikë në kontakt me zjarrin e vështirësonin edhe më shumë punën, pasi ato në kontakt me flakët merrnin shpejt, duke shtuar zjarrin. Por në fund u arrit që flakët të lokalizoheshin dhe të shuheshin. Policia ngriti një grup hetimor, për të hetuar në lidhje me shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja

Magazina e firmës “Henri” sh.p.k. ka filluar që të marrë flakë rreth orës 13:00. Flakët kanë filluar të përhapen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punëtorëve që ndodheshin aty. Në ndërtesë ishin rreth 20 persona. Menjëherë janë njoftuar zjarrfikësit, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje. Ata kanë evakuuar personat e ndodhur në ndërtesë dhe kanë nisur nga puna për shuarjen e flakëve. Në vendngjarje shkuan katër makina zjarrfikëse, të cilat nisën nga puna për shuarjen e flakëve. Flakët filluan që të përhapen edhe më, kjo nisur edhe nga fakti se materialet brenda në magazinë merrnin flakë shpejt. Duke parë përkeqësimin e situatës, policia bllokoi lëvizjen e makinave në autostradë. U kërkua ndihma e mjeteve të tjera zjarrfikëse, të cilat erdhën nga Durrësi dhe Kruja. Numri i tyre në vendngjarje shkoi në nëntë. Rreth orës 16:00, gjendja vazhdonte të ishte e vështirë, pasi flakët rrezikonin ndërtesat e tjera, si dhe stacionin elektrik të Kasharit. Nisur nga kjo, u ndërpre energjia elektrike në të gjithë zonën, për të shmangur një përkeqësim të situatës. Pas djegies së magazinës, flakët kanë përfshirë dhe një tjetër ndërtesë ngjitur. Pas disa orësh “luftë” me flakët, zjarrfikësit kanë arritur që të lokalizojnë flakët dhe të arrijnë që t’i shuajnë ato.

Hetimet

Policia e Tiranës ngriti menjëherë një grup pune, për të zbardhur ngjarjen e djeshme, ku u përfshi nga flakët fabrika e hidro-sanitareve të “Henri” sh.p.k. Hetuesit morën dëshmitë e para në lidhje me këtë rast. Mendohet se zjarri ka nisur në pjesën e pasme të magazinës. Sipas hetuesve, dy janë pistat në të cilat po punohet. E para është ajo e zjarrvënies së qëllimshme, për shkak të konkurrencës, ndërsa pista e dytë është ajo e ndezjes së zjarrit, si pasojë e masës, nga një shkëndijë elektrike. Megjithatë, do të jenë ditët në vazhdim ato që do të përcaktojnë rezultatet e hetimit.

Zjarri, fabrika pranë një stacioni elektrik

Zjarri i rënë në fabrikë ka rrezikuar edhe stacionin elektrik të Kasharit, i cili ndodhej afër ndërtesës. Në një situatë të tillë, operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka stakuar energjinë elektrike për gjithë zonën, ku ndodhet fabrika e hidro-sanitareve, ndërkohë që ajo po digjej. Sipas drejtuesve të OSSH-së, stakimi ka ndodhur për arsye sigurie. Zona ka qëndruar pa energji deri në shuarjen e flakëve. Në këtë zonë veprojnë shumë biznese të mëdha. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën, në situatën e vështirë në të cilën ndodheshin. Flakët fillimisht janë përhapur në ndërtesë dhe kanë rrezikuar edhe ato përreth. Duke parë situatën e vështirë, është marrë vendimi për ndërprerjen e energjisë.

Rëndohet qarkullimi në autostradë

Zjarri i rënë në fabrikë ka bërë që të rëndohet së tepërmi trafiku në autostradën Tiranë-Durrës. Policia Rrugore bllokoi një aks të rrugës, duke mos lejuar makinat që të kalojnë. Kjo ka sjellë vështirësi në trafik dhe bllokim të shoferëve. Situata ka vazhduar e tillë për disa orë. Sipas policisë, kjo është bërë për të mos rrezikuar shoferët, si dhe për t’iu dhënë mundësi zjarrfikësve, ambulancave dhe policisë që të lëvizin shpejt në vendngjarje. Në autostradën Tiranë-Durrës u grumbulluan shumë makina policie, zjarrfikës që punonin me intensitet për shuarjen e flakëve. Për zjarrfikësit ishte e vështirë që të shuheshin flakët e zjarrit, për më tepër që ato rrezikonin të përhapeshin edhe në godina të tjera. Nisur nga kjo, u mor vendimi për të bllokuar njërën anë të rrugës, për t’u ardhur në ndihmë atyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›