E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistri i tatimeve, 2.500 shoqëri braktisin çdo vit biznesin



Ligji për falimentin, rekomandimet e OSBE-së për funksionimin

Bizneset nuk shpallin falimentin, zgjidhja në rrugë private

Ligji për falimentin, ndonëse ekziston në vendin tonë dhe është etiketuar si mjaft modern për vendin tonë, ende ka nevojë për disa rregullime, me qëllim që të aplikohet ashtu sikundër ndodh edhe në vendet e BE-së. Për të ndihmuar vendin tonë në përafrimin e këtij ligji, por në të njëjtën kohë edhe zbatimin sa më efikas të tij, OSBE ka rekomanduar që të monitorohet situata e tanishme dhe ndryshimet e fundit në ligjin për falimentin, në drejtim të pajtueshmërisë me praktikat më të mira në Bashkimin Evropian. Këtë rekomandim ata e arsyetojnë me faktin që qëllimi fillestar i procedurës së falimentimit është përmbushja e barabartë e pretendimeve të të gjithë kreditorëve. Secili kreditor merr një kuotë të barabartë për pretendimin e tij, bazuar në asetet ekzistuese. Nëse është e mundur, prishja / likuidimi i ndërmarrjeve që janë të afta për t’u riorganizuar, duhet të shmangen dhe debitorit duhet t’i jepet mundësia e riorganizimit financiar. Sipas OSBE-së, Shqipëria ka një ligj modern, tepër të detajuar, mbi Procedurat e Falimentit (ligji nr. 8901, i datës 23 maj 2002), i modeluar kryesisht sipas ligjit gjerman. Bazuar në nenin 2 të këtij ligji, procedurat e falimentimit i shërbejnë qëllimit të likuidimit kolektiv të detyrimeve të debitorit nëpërmjet likuidimit të aseteve të tij dhe nëpërmjet shpërndarjes së të ardhurave ose, në rastin e një plani riorganizimi, nëpërmjet një marrëveshjeje të ndryshme, e cila ka për qëllim veçanërisht mbajtjen në këmbë të aktivitetit të debitorit. Sipas nenit 71, të gjitha paditë civile në të cilat debitori është palë, pezullohen me fillimin e procedurës së falimentit; ekzekutimi individual ndalohet gjatë procedurës së falimentit (neni 75). Ndërkohë që në praktikë ka një numër të vogël procedimesh falimenti në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që nuk ka raste falimentimi të sipërmarrjeve, pasi sipas regjistrave të tatimeve, afërsisht 2.500 shoqëri e braktisin biznesin çdo vit. Megjithatë, kreditorët përpiqen të gjejnë zgjidhje private, p.sh., duke blerë sendet pasurore të shoqërive nën vlerën e tregut (e verifikueshme tek regjistrat e pasurive të paluajtshme). Kështu, kreditorëve të fuqishëm nuk u duhen procedurat e falimentit dhe kreditorët e dobët nuk janë në një pozitë faktike t’i nxisin ato. Debitorët i shmangin ato, pasi ata u tremben dispozitave në lidhje me transferimet (të aseteve të shoqërisë) mashtruese. Autoritetet tatimore nuk i nxisin ato, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore. Kështu, kohët e fundit ky ligj është ndryshuar për t’i bërë më të efektshme procedurat e falimentit. Deri më sot nuk kemi pasur kohë ta analizojmë versionin e fundit të këtij teksti. Megjithatë, ekspertët e OSBE-së mendojnë se në disa drejtime, ndryshimet kanë shkaktuar keqkuptime dhe mund të mos kenë sjellë qartësimin e situatës. Së fundi, sipas ekspertëve të OSBE-së, ligji shqiptar për falimentin në fund të fundit duhet të përshtatet me standardet evropiane në lidhje me falimentet me elemente ndërkufitare.

Ndryshimet

* E drejta e brendshme duhet të përshtatet me standardet e BE-së para hyrjes; pasi rregulloret drejtpërdrejt të zbatueshme kanë prirjen të ndikojnë mbi rregullat e brendshme më shumë se direktivat, vendet aderuese duhet të përgatiten;

* Marrëdhëniet me vendet e treta normalisht nuk rregullohen nga e drejta e Bashkësisë Evropiane;

* Në një numër të caktuar rastesh duhet të merren masa të brendshme shtesë për të bërë funksionale dispozitat e rregullores (p.sh., njoftimi dhe publikimi për fillimin ose përfundimin e procedurës së falimentimit).

Prandaj, rekomandojmë monitorimin e ndryshimeve, nëse ato janë në pajtim me praktikat dhe rregulloret më të mira evropiane.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›