E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbarimi: Janë ekzekutuar 85% të vendimeve gjyqësore



Ministria e Drejtësisë: Mosekzekutimi i vendimit nga Bashkia e Tiranës për rastin “Qufaj” i kushtoi qeverisë 70 milionë lekë të reja

Zyrat përmbarimore në vend kanë arritur që të ekzekutojnë rreth 85% të çështjeve që u janë ngarkuar për ekzekutim nga gjykata. Ndërsa për ato vendime gjyqësore që nuk janë ekzekutuar ende, nga 29 zyrat përmbarimore në vend janë vendosur gjoba ndëshkimore. Madje, përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Drejtësisë përmendi edhe një rast konkret kur për shkak të mosekzekutimit të një vendimi të Bashkisë së Tiranës, qeverisë i është dashur të paguajë një faturë 70 milionë lekë të reja, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Ministria e Drejtësisë publikoi dje disa të dhëna për ekzekutimet e vendimeve gjyqësore në të gjitha zyrat e përmbarimit në vend për një periudhë 9-mujore, përkatësisht nga janari deri në shtator të këtij viti. Në këtë mënyrë, me shifra, institucioni i drejtësisë i është përgjigjur akuzave të bëra nga PS gjatë një konference për shtyp. Sipas këtij reagimi, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë e konsiderojnë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore si një nga elementët thelbësorë të shtetit të së drejtës dhe pjesë e pandashme e procesit të rregullt ligjor. “Çdo ditë të punës së saj, në përputhje me programin politik dhe objektivat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Ministria e Drejtësisë po punon për të arritur nivel të njëjtë të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore me ato të vendeve evropiane. Kësaj përpjekjeje madhore nuk i shërbejnë dezinformimet, sidomos kur ato kanë si synim të pështjellojnë tymnajën e ngritur dhe për më tepër statistikat të lexohen mbrapsht, me qëllimin e vetëm për të luftuar pa princip mazhorancën qeverisëse”, - vijon deklarimi për shtyp i Ministrisë së Drejtësisë, duke shtuar se “rezulton që 85% të çështjeve të regjistruara iu është dhënë zgjidhje ligjore”. Ndërkohë që sipas ministrisë, jashtë afateve procedurale të vendosura nga Kodi i Procedurës Civile janë rreth 1000 çështje, për të cilat Shërbimi i Përmbarimit, veç mjeteve të tjera ligjore po procedon me vendosje gjobe dhe kallëzime penale për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore. “Drejtësia nuk duhet të jetë e dukshme, por edhe e prekshme nga qytetarët dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore përbën një nga hallat kryesore edhe në kuadrin e përgjithshëm të reformës në drejtësi”, - është shprehur Ministria e Drejtësisë, duke iu përgjigjur me fakte akuzave të PS-së, duke shtuar se “ky realitet që të bëhet i prekshëm për shqiptarët po realizohet si me forcimin e kontrollit dhe llogaridhënien e përmbaruesve shtetërorë, ashtu edhe nëpërmjet mekanizmave të tjera, të sugjeruara nga partnerët ndërkombëtarë, siç është ofrimi i operatorëve privatë të ekzekutimit, si një funksion i deleguar nga shteti tek këta të fundit”. Më tej, Përmbarimi e ka ilustruar ekzekutimin e vendimeve me një shembull, atë të vendimit të Strasburgut për çështjen “Qufaj” kundër Shqipërisë, ku për shkak të mosekzekutimit të një vendimi të formës së prerë nga Bashkia e Tiranës, Këshilli i Ministrave pagoi nga fondi rezervë i tij shumën prej 70 milionë lekësh të reja.

Ekzekutimet gjyqësore në 29 Zyrat Përmbarimore për periudhën janar–shtator 2008:

15.641 çështje janë regjistruar për ekzekutim

3.875 çështje janë ekzekutuar

1269 çështje janë pushuar

7.523 çështje në ekzekutim brenda afateve procedurale

211 çështje të refuzuara

814 çështje të pezulluara me vendim gjykate

568 çështje të transferuara

36 çështje janë pushuar për shkak të shfuqizimit të Urdhrit Ekzekutiv

PS: Përmbarimi, vetëm 3.800 çështje të zbatuara

Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani, tha se ekziston një numër shumë i madh i çështjeve që nuk janë ekzekutuar nga zyrat e përmbarimit. Në një komunikim me mediat, Manjani tha dje se deri më sot figurojnë rreth 15.600 çështje të regjistruar në shërbimin e Përmbarimit për t’u ekzekutuar ku vetëm 3.800 prej këtyre çështjeve janë ekzekutuar. Në gjykimin e socialistëve kjo do të thotë se vetëm 24% e vendimeve të gjykatës së formës së prerë që sot disponojnë shqiptarët në dorë mund të ekzekutohen. “Shumica e vendimeve të gjykatave të pazbatuara janë detyrime financiare, por jo vetëm, të shtetit ndaj qytetarëve. Sali Berisha dhe shteti i tij as që kanë ndërmend të zbatojnë qoftë edhe një vendim të vetëm. Shihni ligjin për buxhetin e shtetit që Berisha sapo miratoi me dhunë kartonash dhe do shihni se asnjë qindarkë nuk është parashikuar për pagimin e detyrimeve gjyqësore ndaj qytetarëve”, - u shpreh Manjani. Ai bëri të ditur se PS mendon se çështja e zbatimit të vendimeve të gjykatave shqiptare është në gjendjen e emergjencës shtetërore dhe për këtë nevojitet një program i detajuar veprimi, që përfshin disa veprime ekzekutive të rrepta. “Duke qenë se qeveria e sotme nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje, zgjidhja mbetet të zhvillohet vetëm pas ardhjes së në qeverisjen e vendit të PS-së”, - përfundoi Manjani.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›