Sekuestrohen 3 kilogramë marijuanë në autobus, ndalohet emigranti
Aleks Paja është arrestuar pak orë më pas. Ai prej disa vitesh jetonte si emigrant në Athinë dhe dyshohet se ngarkesa me 3 kilogramë marijuanë kishte si destinacion tregun helen
Gjirokastër Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë goditur një rast të trafikut të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë me autobus udhëtarësh si dhe kanë ndaluar një emigrant nga Elbasani, i cili dyshohet të jetë autor i këtij trafiku. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër, mesditën e së hënës në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ushtruar kontrollin rutinë në një autobus të linjës ndërkombëtare Tiranë –Athinë. “Gjatë kontrollit, në bagazhin e autobusit, në një çantë valixhe, poshtë rrobave personale konstatuam një qese plastmasi në të cilën kishte dy pako të mbështjella me letër natriban, në formën e rrumbullakët, ku brenda tyre kishte rreth 3 kilogramë marijuanë”, thonë burimet policore. Personi që posedonte çantën, i identifikuar si 18-vjeçari Aleks Paja, nga Elbasani, porsa ka parë që policia kufitare ka konstatuar lëndën narkotike, ka zbritur menjëherë nga autobusi dhe duke përfituar edhe nga fluksi i lëvizjes në Kakavije, është larguar me vrap. Sipas burimeve policore, ai ka kapërcyer rrethimin e doganës dhe është futur në pyllin e Katundës, mbi fshatin Kakavije. Menjëherë në ndjekje të tij janë vënë forca të shumta të Policisë Kufitare si dhe agjentët dhe specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Policia ka bërë rrethimin e zonës dhe pas rreth katër orë kërkimesh intensive ka bërë të mundur ndalimin e 18-vjeçarit Paja. Sipas grupit hetimor, ai prej disa vitesh jetonte si emigrant në Athinë dhe dyshohet se ngarkesa me 3 kilogramë marijuanë kishte si destinacion tregun e shtetit fqinjë. Mbi të ndaluarin rëndon akuza për veprën penale “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Prokuroria e Krimeve të rënda vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të dyshuar se janë përfshirë në këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike me destinacion Greqinë.
Bledar Shehu