Sekuestrohen 78 kg marijuanë Lazarati, do trafikohej në Greqi
SARANDE- gjirokaster – Nuk ka të ndalur trafiku i drogës drejt Greqisë. Pas sekuestrimit të më shumë se 3 tonëve drogë në Kakavijë dhe një tjetër sasie në tentativë për ta trafikuar nga Igumenica, policia e Sarandës sekuestroi dje 78 kg marijuanë në kufirin shqiptaro-grek. Operacioni i koduar “Piramida” u organizua mëngjesin e djeshëm midis piramidave kufitare 68 dhe 69, në “Qafën e Likojanit”, në kufirin mes Konispolit dhe Igumenicës. Oficerët e Antidrogës së Sarandës, pas informacioneve në rrugë operative, organizuan një kontroll nga ku pikasën dy persona që transportonin me krahë dy çanta të zeza për në drejtim të kufirit. Policia u bëri thirrje të ndalonin pranë vendit të quajtur “Përroi i Qesarajzës”, por dy trafikantët nuk janë bindur. Ata braktisën çantat me drogë dhe u larguan me shpejtësi drejt tokës greke, duke përfituar nga errësira dhe terreni. Blutë sekuestruan sasinë e drogës, që pas peshimit rezultoi 78 kg marijuanë. Mësohet se është identifikuar njëri nga trafikantët me inicialet A. F., banor i fshatrave kufitare të Sarandës. Droga mësohet se vinte nga Lazarati dhe kishte për destinacion tranzit Igumenicën. Dokumentacioni për këtë rast trafiku do t’i kalojë Prokurorisë për Krime të Rënda. Ndërkaq, një tjetër rast i trafikut të marijuanës u evidentua mbrëmë në Kakavijë. Më tepër se 10 kg marijuanë u kap nga Policia kufitare, në tentativë për t’u trafikuar drejt Greqisë. Si mjet transporti ka shërbyer një prej autobusëve të linjës së udhëtarëve që operon në linjën Gjirokastër-Athinë. Poseduesi i lëndës narkotike është arrestuar menjëherë, ndërkohë që po merret në pyetje për të zbuluar origjinën e marijuanës së trafikuar. Lënda është gjetur në brendësi të dy kutive të drunjta të mbështjella me rrobë sintetike, e gatshme për t’u servirur si pajisje mobilierie. Pasagjerët që ndodheshin në autobus, mohuan të kishin dijeni për mallin, përveç Aurel Mezinit, 25 vjeç nga Gjirokastra, i cili tentoi të largohej. sh.d/p.n