“Ne gjithmonë e kemi ditur se në Shqipëri ka naftë”
Kompania më e madhe në Europë “Royal Dutch Shell” zgjeron hartën e saj të kërkimeve
Kompania më e madhe e naftës në Europë, “Royal Dutch Shell” kërkon të zgjerojë hartën e saj të kërkimeve në Europën jugore e kryesisht në Shqipëri.
Në një intervistë për agjencinë britanike të lajmeve ekonomike dhe financiare Bloomberg, drejtori ndërkombëtar për prodhimin në kompaninë “Shell”, Andy Broun, deklaron se “Ne gjithmonë e kemi ditur se në Shqipëri ka naftë”.
Gjatë vitit të fundit, kompania njofton se ka fituar projekte në Shqipëri, Turqi dhe Ukrainë. “Veçanërisht jemi duke u angazhuar në pjesën jugore të kontinentit. Ne gjithmonë e kemi ditur se në Shqipëri ka naftë” shprehet Broun. Kompania, në maj i pagoi 50.3 milionë dollarë shoqërisë tjetër “Petromanas Energy” për të përfituar 50 për qind të aksioneve në Bllokun 2 dhe 3 në Shqipëri. Objektivi kryesor i kompanisë lidhet, sipas drejtorit ndërkombëtar të saj, me rritjen e prodhimit kombëtar të naftës dhe reduktimin e importeve nga jashtë të këtij produkti.
Gjithashtu “Shell” ka programuar ta zgjerojë hartën e kërkimeve edhe në Itali. Broun shprehet në intervistën e tij në Londër se Italia është në zhvillim si një prodhuese interesante për naftën. Edhe Turqia sipas tij që importon pothuajse të gjithë energjinë e saj ka nevojë për të gjetur gaz për ngrohje dhe për të plotësuar kërkesën e saj të brendshme, që i kushton vendit gati 50 miliardë dollarë në vit.
“Shell”, me seli në Hagë, ka planifikuar që të rrisë investimet në eksplorim me 35 për qind apo gati 5 miliardë dollarë për këtë vit për të mbuluar kështu edhe shpenzimet e vitit të kaluar.
Drejtori ndërkombëtar i Kompanisë anglo-holandeze shprehet optimist për numrin e madh të mundësive. “Ne po shohim në mbarë botën në basene të ndryshme dhe ne padyshim do të punojmë shumë për të qenë të parët përballë konkurrencës”, ka thënë ai.