“Qeveria shqiptare, punë inkurajuese me reformat për biznesin, pronat dhe taksat”
Raporti vjetor i Bankës Botërore “Doing Biznes 2013”, klasifikon 185 vende të botës
Reformat për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri vlerësohen nga Banka Botërore, e cila e rendit atë në vendin e 85, në raportin ndërkombëtar “Doing Biznes 2013”. Me këtë vlerësim, Shqipëria lë pas plot 100 ekonomitë tjera të botës, për sa i përket treguesit të të bërit biznes për vitin 2013. “Shqipëria e ka bërë më të lehtë fillimin e një biznesi duke bërë noterizimin e dokumenteve të regjistrimit fakultativ”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, vendi ynë ka bërë më të lehtë pagimin e taksave për kompanitë, duke hequr taksën e makinave dhe duke nxitur deklarimin elektronik të taksave. Në raport theksohet fakti se fushat e reformave të biznesit janë: Fillimi i një biznesi, pagimi i taksave.
Ndonëse Shqipëria ka humbur dy vende në klasifikimin e përgjithshëm të këtij raporti, bashkëautorja e studimit, Tea Trumbic thotë se vendi ka shënuar përparime në disa tregues të rëndësishëm por ka ende vend për përmirësime.
Banka Botërore e radhit Shqipërinë në vendin e 85 nga 185 vendet e përfshira në klasifikimin e përgjithshëm të raportit “Doing Biznes 2013” i cili merr në konsideratë rregulloret e vendosura nga qeveritë që ndihmojnë apo pengojnë bërjen e biznesit në një vend.
Tea Trumbiç, bashkëautore e raportit thotë se një nga arsyet kryesore për këtë rënie të lehtë të Shqipërisë në klasifikim janë hapat e shpejtë të ndërmarra nga vendet e tjera në drejtim të reformave. Por ajo shton se edhe në Shqipëri vihen re disa ndryshime pozitive.
“Pavarësisht renditjes së përgjithshme, ka pasur dy reforma të rëndësishme vitin e kaluar. Një në treguesin e fillimit të biznesit ku Shqipëria hoqi një nga kërkesat për noterizimin e dokumenteve të themelimit të kompanive (duke e bërë atë fakultativ) dhe duke ulur procedurat si dhe kohën që nevojitet e që e vë Shqipërinë ndër vendet më të shpejta për të filluar një biznes”.
Shqipëria gjithashtu bëri përparime në treguesin e regjistrimit të pronave duke vendosur afate kohore për regjistrimin e një titulli të pronësisë.
Megjithatë në treguesin e lejeve të ndërtimit Shqipëria radhitet e fundit në klasifikimin e këtij raporti të Bankës Botërore. Arsyeja...
“Për tre vitet e fundit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në Tiranë. KKRT ishte autoriteti kryesor që autorizonte lejet e ndërtimit dhe kishte zyrtarë të lartë të përfshirë në të. Procesi sigurisht që merrte shumë kohë edhe më parë. Tani ka një ligj të ri që supozohej të zbatohej vitin e kaluar e që ja kalon këtë autoritet bashkive. Por për shkak të problemeve me zbatimin e ligjit nuk janë dhënë leje ndërtimi. Pra në këtë pikë as që mund ta klasifikojmë Shqipërinë pasi nuk ka asnjë aktivitet”.
Një tregues ku çalon jo vetëm Shqipëria por mbarë rajoni i Ballkanit thotë zonja Trumbic, është ai i energjisë, një kriter i ri i futur në raportet e dy viteve të fundit e që mat lehtësinë në procesin e sigurimit të energjisë elektrike për një biznes.
Trumbic thotë se puna që po bën qeveria shqiptare për të lehtësuar procesin e pagesave të taksave është inkurajuese.
“Një tregues tjetër ku Shqipëria duhet të bëjë përparim janë pagesat e taksave. Kjo është një fushë ku e dimë se qeveria po punon në mënyrë aktive. Vumë re miratimin e një reforme këtë vit që pakëson disi kohën e pagesës së taksave për shkak të lehtësirave të propozuara për të paguar taksat on-line”.
Ndër vendet e rajonit, Trumbic përmend Serbinë si vendin që ka shënuar më shumë përparime në raportin e këtij viti ndërsa Shqipëria paraqitet më mirë sesa Bosnje-Hercegovina. Ajo thotë se gara mes vendeve të rajonit është e fortë.
“Ka ende vend për përparime në Shqipëri. Ka shumë vende që po ndjekin fuqishëm zbatimin e reformave. Maqedonia është një vend që ka avancuar ndjeshëm në klasifikim. Gjithashtu po shohim mjaft reforma në Kosovë dhe kjo i lë disi pas vendet e tjera në rajon. Kështu që ka ardhur koha të ecet më shpejt për të konkurruar”.
Raporti vjetor i Bankës Botërore “Doing Biznes 2013” klasifikon vendet sipas 10 treguesve ku përfshihet shpejtësia e regjistrimit të një biznesi, pagesa e taksave, regjistrimi i pronës, tregtia ndërkufitare si dhe zbatimi i kontratave.
Në raportin e ri të IFC-së dhe të Bankës Botërore, i titulluar “Doing Biznes 2013”, Rregullore më të Mençura për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme, thuhet se që nga viti 2005, globi u udhëhoq nga Evropa Lindore dhe Azia Qendrore, në përmirësimin e klimës së biznesit.
Sipas raportit, Polonia renditet në vendin e parë në botë, referuar përmirësimit qe ajo ka bere nga viti i kaluar. Sipas, Bankës Botërore, Polonia përmirësoi lehtësimin e të bërit biznes nëpërmjet reformave institucionale dhe rregullatorë, duke e bërë më të lehtë regjistrimin e pronës, pagimin e taksave, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e falimentimi.
“Ne jemi shumë të inkurajuar nga ritmi i shpejtë i reformave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, theksoi Augusto Lopez-Claros, Drejtor i Analizës Globale, ne Grupin e Bankës Botërore.
Sipas tij, shumë nga këto reforma ambicioze janë nxitur nga dëshira për t’u afruar me partnerët më të përparuar dhe për t’u integruar ekonomikisht.
Raporti nxjerr në pah Gjeorgjinë që i bashkohet 10 ekonomive të para në renditjen për lehtësimin e përgjithshëm të të bërit biznes, duke u përparuar më shumë nga çdo vend tjetër në rajon. Në nivel global, Singapori ruan vendin e tij të parë në renditje, për vitin e shtatë me radhë. Së bashku me të në listën e 10 ekonomive me rregulloret më miqësore për biznesin janë Hong Kong, Kina, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Republika e Koresë, Gjeorgjia dhe Australia.