“PS-ja, fushatë të turpshme kundër Ministrisë së Mbrojtjes”
Reagon sekretari i Përgjithshëm i dikasterit të Mbrojtjes, Edvin Kulluri, pas akuzave të fundit të deputetit Taulant Balla
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas deklaratave së fundit të deputetit socialist, Taulant Balla, lidhur me mungesën e transparencës në shitjen e pronave të Ushtrisë. Në një deklaratë për mediat Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Edvin Kulluri hodhi poshtë akuzat e Ballës, ndërsa e cilësoi të paprecedentë përpjekjen e Partisë Socialiste për të manipuluar opinionin publik, duke vënë edhe një herë në plan të parë interesat mediokre përpara atyre kombëtare. “Deputetit Taulant Balla, për herë të fundit dhe njëherë e mirë i themi se Ministria e Mbrojtjes NUK shet prona. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura pasi shqyrton listën e pronave që do t’i mbeten në përdorim Forcave të Armatosura në funksion të zbatimit të misionit kushtetues, i propozon ministrit të Mbrojtjes listën e pronave që si rrjedhojë dalin të tepërta nga Plani i Përhapjes. Ministri i Mbrojtjes i përcjell Presidentit të Republikës listën me pronat që dalin tepër, i cili i miraton ato me dekret”, deklaroi Kulluri.
Më tej, Sekretari i Përgjithshëm i dikasterit të Mbrojtjes Kulluri theksoi se më konkretisht, ministri Imami ndër 1006 pronat që kanë dalë të lira në këto 20 vjet ka propozuar vetëm 67 të tilla për të dalë nga Plani i Përhapjes ose më saktë 6 për qind të tyre. “Taulant Balla duhet të kuptojë që shokët e tij socialist, ish-ministra të Mbrojtjes, kanë vepruar shumë mirë që kanë nxjerrë të tepërta me qindra prona. Do apo nuk do deputeti Balla, në tre vitet e fundit, pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera u janë transferuar 71 prona në bazë të kërkesave të tyre. Ashtu sikurse nga 25 prona të tjetërsuara, 70 për qind të tyre i kanë përfituar ish-pronarët me të drejtë parablerje me procedurë ankandi pranë Ministrisë së Financave”, theksoi Kulluri.
Ndërkaq lidhur me pronën në zonën e Dajtit, Ministria e Mbrojtjes informoi se është përfituar nga familja e deputetit socialist, Qefalia, procedura këto që sipas këtij dikasteri janë bërë në përputhje të plotë me ligjin. “Një nga ish-repartet ushtarake në zonën e Dajtit që gazetari i terrenit Taulant Balla demonstroi disa ditë më parë, është përfituar nga familja e deputetit socialist Qefalia. Kjo procedurë është realizuar në përputhje të plotë me ligjin ashtu si në rastet e tjera. I gjithë dokumentacioni i pronave të tepërta dhe trajtimit të tyre, i nënshtrohet shqyrtimit apo kontrollit ligjor, çka jo vetëm që nuk tremb askënd, por përkundrazi përbën një garanci më tepër për menaxhimin e deritanishëm në përputhje me ligjin”, vijoi ai.
Edvin Kulluri i cilësoi akuzat e PS të cilat vijojnë prej ditësh kundër ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrit Imami, si një përpjekje e paprecedentë për të manipuluar opinionin publik.
Ai nënvizoi se “konferenca përmbyllëse dhe funerale e Taulant Ballës ishte mbyllja me turp e fushatës politike disa mujore të Partisë Socialiste ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo përpjekje e paprecedentë dhe e padëgjuar më parë në historinë e pluralizmit për të manipuluar opinionin publik, tregon përfundimisht papjekuri dhe paaftësi politike të kësaj force, e cila vendosi interesa mediokre dhe banale mbi interesin kombëtar”.