E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen dokumentet e Fazlliç në KESH

Kompania ku Fazlliç është aksioner ka fituar disa tendera me vlerë 34 milionë euro dhe nuk ka paguar tatimet

TIRANË- Njësia e task-forcës pranë Prokurorisë së Tiranës zbarkoi mëngjesin e djeshëm në zyrat e prokurimeve publike të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare duke sekuestruar një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me kompaninë austriake “Rudnap” nga e cila shteti shqiptar blen energjinë elektrike. Sekuestrimi i këtyre dokumenteve, në mesin e tyre oferta dhe kontrata mes shtetit shqiptar dhe kompanisë “Rudnap” janë bërë pjesë e fashikullit të hetimit të dosjes hetimore ndaj serbo-boshnjakut Damir Fazliç. Ky veprim i prokurorisë ka mbërritur pas publikimit të një sërë dokumentesh që identifikojnë mikun e kryeministrit Sali Berisha si një nga aksionerët e kësaj kompanie.

Mësohet se me urdhër të prokurorit Besnik Cani hetuesit e çështjes kanë hyrë mëngjesin e djeshëm në zyrën e prokurimeve publike duke kontrolluar dhe sekuestruar të gjitha ato dokumente që mendohet se janë të nevojshme për hetimin e shtetasit Damir Fazliç për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”. Sipas akuzës, këto dokumente të sekuestruara janë bërë pjesë e fashikullit të hetimit të dosjes Fazliç ku po hetohen edhe tetë kompani që figurojnë të regjistruara nën emrin e biznesmenit serbo-boshnjak apo ku ai bën pjesë si ortak me shtetas të tjerë. Nga hetimet gati dymujore ka rezultuar se asnjë nga kompanitë ku serbo-boshnjaku Fazliç është pronar apo ortak nuk kanë paguar apo derdhur në arkën e shtetit detyrimet tatimore që çdo kompani që kryen veprimtari në territorin shqiptar duhet të paguajë. Burimet nga prokuroria, të pyetur për këto sekuestrime janë shprehur se “meqenëse Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH-i) prej disa viteve importon energji nga kompania austriake “Rudnap” ku dyshohet se edhe personi nën hetim Damir Fazliç është pjesë e aksionerëve të kësaj kompanie, është gjykuar e nevojshme sekuestrimi idisa dokumenteve për të verifikuar denoncimet publike për lidhjet e personit nën hetim për pastrim parash nga shteti shqiptar me këtë kompani. Janë sekuestruar të gjitha ofertat e kompanisë austriake, të dhënat e ndryshme për këtë kompani dhe kontratat e nënshkruara nga KESH-i me përfaqësuesit e shoqërisë së “Rudnap” që nga viti 2004”.

Gjithashtu, ky lajm është konfirmuar edhe nga burimet zyrtare të KESH-it, të cilët kanë cituar për “Shekullin” se “sot (dje) në mëngjes oficer të prokurorisë janë paraqitur në zyrën e prokurimit publik dhe kanë sekuestruar disa dokumente”. Dihet tashmë zyrtarisht se kompania “Rudnap” ka marrë pjesë në shumë tenderë të organizuara nga shteti shqiptar për blerjen e energjisë elektrike, duke qenë gjithashtu fituese në shumë raste, ku KESH-i i ka paguar kësaj kompanie rreth 34 milionë euro për energjinë e blerë. Gjithashtu, sipas akuzës, mësohet se po verifikohen dhe kontrollohen në zyrat e drejtorisë së tatim-taksave për tetë kompanitë që figurojnë nën emrin e personit nën hetim për pastrim parash Damir Fazilç. “Deri më tani ka rezultuar se në zyrat e tatimorëve asnjë prej tetë kompanive që janë sekuestruar nga Gjykata me kërkesë të prokurorisë nuk kanë derdhur asnjë të ardhur si detyrim tatimor në arkat e shtetit, që kanë lindur dyshimet e shmangies së detyrimeve tatimore, akuzë kjo që pritet të ngrihet në ditët në vazhdim”-thanë burimet. Sipas tyre, ky fakt i mos derdhjes së të ardhurave në formë tatimesh në arkën e shtetit shqiptar, mund të justifikohet vetëm me aktivitetin zero të kompanive që ai ka në pronësi bashkë me ortakët e tij.

HETIMET

Prokuroria ka bllokuar 8 kompani të Fazlliçit

TIRANË- Mësohet se që nga data shtatë tetor, kur prokuroria ka filluar hetimet ndaj serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, atij i janë sekuestruar dhe bllokuar tetë kompani të cilat kanë kryer aktivitete të ndryshme në vend. Si dhe hetimin e rastit që dyshohet për pastrim parash me shitjen fiktive të kompanisë që ai drejtonte në Shqipëri kompanisë po të tij që kishte në Qipro me vlerë prej 1 milion e 750 mijë euro. Kompani e shitur, “Crown Acquisitions” sh.a. is kompanisë qipriote “Altaria Research Limited” kishte në pronësi rreth 16 hektar tokë, që është blerë me çmim të ulët në fshatin Rinia në Porto Romano të Durrësit. Para të cilat janë tërhequr nga banka nga përfaqësuesja ligjore e serbo-boshnjakut Fazliç, avokatja Flutura Kola ortake e vajzës së kryeministrit Argita Berisha. Për këtë dosje hetimore deri më tani, mësohet se është pyetur vetëm ish-administratori i kompanive të Fazliçit, shtetasit Erion Isufi i njohur ndryshe edhe si kunati i Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha dhe dy përfaqësuesit e shoqërisë “Romepetrol” ku personin nën hetim është ortak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›