Tiranë, tentohet grabitja e pikës së karburantit
Grabitësit tremben nga roja i karburantit dhe largohen. Policia nis hetimet për ngjarjenTIRANË- Tentojnë të vjedhin me armë një pikë karburanti, largohen me shpejtësi pasi diktohen nga roja i armatosur. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në rrugën e “Elbasani” në periferi të Tiranës kur persona të panjohur janë afruar në një pikë karburanti dhe dyshohet se kishin për qëllim grabitjen e tij. Por sapo janë diktuar nga roja i karburantit ata janë larguar menjëherë duke humbur gjurmët. Për tentativën e grabitjes janë sinjalizuar forcat e policisë të cilat kanë mbërritur për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se ende nuk dihen identitetet e autorëve ndërsa dyshohet se kanë qenë më shumë se dy persona.
Ngjarja
Rreth orës 2:00 të mëngjesit te djeshëm, persona ende të panjohur kanë shkuar në një pikë karburanti që ndodhet pranë rrugës së “Elbasanit” në dalje të Tiranës me qëllim grabitjen e saj. Ata kanë prerë hekurat për të hyrë në ambientet e brendshme të qendrës së karburanti me qëllim vjedhjen e parave. Mësohet se personat kanë pasur edhe armë me vete, por lëvizjet e rojës dhe personave të tjerë që ndodheshin në pikën e karburantit duket se janë diktuar nga autorët. Dyshohet se këta të fundit kanë kujtuar se kanë qenë shumë persona dhe posedonin armë ndaj dhe janë larguar me shpejtësi. Sipas deklaratës së rojës së karburantit, personat nuk kanë mundur të kryejnë grabitjen pasi janë trembur dhe u larguan me shpejtësi. Ata janë larguar disa metra në këmbë dhe më pas kanë hipur në një automjet që i priste pak metra më larg duke humbur gjurmët.
Policia
Forcat e policisë morën në pyetje rojën e pikës së karburantit, i cili deklaroi se ngjarja mbeti në tentativë. Autorët që ishin më shumë se dy u larguan pa mundur të vjedhin pasi dyshohet se janë trembur. Sipas dëshmisë së rojës dyshohet se ata kishin edhe armë me vete por nuk i kanë vënë në përdorim. Burime nga policia thanë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Ndërkohë që kjo ngjarje është e treta e kryer në kryeqytet ditët e fundit. Pak ditë më parë, seksioni i luftës kundër vjedhjeve me armë ka regjistruar edhe dy ngjarje të tjera të cilët janë klasifikuar si grabitje me armë. Kështu pak ditë më parë, një person i armatosur dhe me maskë arriti të grabisë rreth 8 milionë lekë të vjetra në një bankë në rrugën “Bardhyl” në Tiranës. Për të bindur arkëtaren t’iu jepte paratë e xhiros, ai qëllon edhe njëherë me armë në ajër. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorin e kësaj grabitjeje, ndërsa vetëm tre ditë më pas u sinjalizua për grabitjen e një tregtari në rrugën “4 Dëshmorët” në Tiranë. Një 30-vjeçar, pronar i një dyqani shitjes dhe servisësh celularësh u grabit me dhunë nga dy të rinj. Këta të fundit nën kërcënimin e pistoletës dhe duke përdorur dhunën fizike kanë mundur t’i vjedhin tregtarit rreth 260 euro dhe më pas u larguan por u kapën nga policia vetëm pak orë më vonë.