E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bllokohet treni me naftë "kontrabandë"

Nga Irma Hoxha
Treni që transportonte sasinë e madhe të karburantit për në Durrës, u ndalua rreth 300 metra larg Uzinës së Ballshit. Malli ne tren nuk shoqërohej nga dokumentacioni përkatës 

FIER -Plot 25 mijë litra naftë që dyshohej të ishte mall kontrabandë, u bllokua mbrëmjen e së enjtes nga efektivët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit. Treni që transportonte sasinë e madhe të karburantit për në Durrës, u ndalua rreth 300 metra larg Uzinës së Ballshit. Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit, bëjnë të ditur se treni që po transportonte naftë u bllokua për 18 orë, pasi malli nuk shoqërohej nga dokumentacioni përkatës. Vetëm dje, rreth orës 18:00, treni u la i lirë të udhëtonte për në degën e shitjes në Durrës, pasi rezultoi se nuk bëhej fjalë për kontrabandë. I gjithë "keqkuptimi" ka ardhur si pasojë e moskomunikimit mes Ministrisë së Energjetikës dhe Ministrisë së Brendshme për zyrtarizimin e kalimit të Uzinës së Ballshit nga shtetërore në privat. Mësohet se Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit nuk dispononte asnjë shkresë zyrtare në lidhje me privatizimin e këtij objekti dhe ndryshimit të pronësisë së tij.
BLLOKIMI I TRENIT
ME NAFTË
Rreth orës 21:00, një prej rojeve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh ka sinjalizuar sallën e komandës së Komisariatit të Policisë së këtij qyteti, se një tren me disa vagonë cisternë ishte furnizuar me karburant në këtë objekt, ndërkohë që nuk posedonte asnjë dokumentacion. Menjëherë është njoftuar shefi i Komisariatit të Ballshit, Viktor Agaj dhe drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Premçi. Dy krerët e policisë dhe punonjës të Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në këtë drejtori kanë ndërhyrë për bllokimin e trenit me naftë, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. "Treni që po transportonte 25 mijë litra naftë u bllokua pasi u dyshua për shkelje të procedurave të marrjes dhe transportimit të karburantit", - është shprehur dje shefi i Komisariatit të Ballshit, Viktor Agaj. Sipas burimeve të mësipërme, treni i bllokuar kishte 10 vagonë cisternë që ishin të mbushur me naftë të cilësisë së mirë. Ai po transportonte naftë nga KPTHN-ja drejt degës së shitjes së karburanteve në Durrës. Policia ka marrë në pyetje trenistin si dhe disa persona të tjerë, të cilët nuk kanë servirur asnjë dokumentacion lidhur me mallin që transportonin. Ata janë shprehur se puna e tyre ishte vetëm të merrnin naftën në Uzinën e Ballshit dhe ta çonin në Durrës.
ZHBLLOKIMI
Dyshimi i policisë për kontrabandë me arin e zi nuk ka rezultuar i vërtetë. Mbrëmë, rreth orës 18:00, Drejtoria e Përgjithshme e ARMO-s në Tiranë ka provuar se nuk bëhej fjalë për abuzime për sa i përket transportimit të sasisë së madhe të naftës. Burime policore pohojnë se ju dorëzua gjithë dokumentacioni i duhur, përfshi këtu autorizimin për marrjen dhe transportimin e lëndës djegëse, kuponin e parapagimit në bankë si dhe faturën. Mësohet se transportimi i sasisë së naftës ishte urdhëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e ARMO-s. Ndërkaq, drejtuesit e policisë së Fierit shprehen se nuk kanë asnjë faj në lidhje me incidentin në fjalë, pasi nuk dispononin asnjë shkresë zyrtare për ndryshimin e pronësisë së Uzinës së Naftës në Ballsh. Efektivat blu u kanë qëndruar strikt procedurave të mëparshme, që i lejonin të kontrollonin aktivitetin e kësaj uzine, e cila deri dje zyrtarisht për ta ishte shtetërore.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›