Reshjet në Lezhë, kërkohet evakuimi i banorëve
LEZHË – Vetëm dy ditë pas nisjes së reshjeve të shiut, kryebashkiaku i Lezhës ka dhënë urdhrin për evakuimin e një pallati për shkak se ujërat kanë mbërritur në katin e dytë dhe frika për ndonjë katastrofë është e madhe. Ngjarja zhvillohet në lagjen “Skënderbeg”, në pallatin nr.16. Mësohet se edhe më parë kjo ndërtesë ka qenë problematike, por moti me shira i këtyre ditëve e ka përkeqësuar gjendjen. Reshjet kanë përmbytur pothuajse plotësisht katin e parë, ndërsa po depërtojnë edhe në katin e dytë të pallatit. Sekretari i përgjithshëm i prefekturës, si dhe kryetari i bashkisë së Lezhës, në një inspektim të zonave janë ndalur pikërisht në këtë godinë, duke iu kërkuar banorëve që ta evakuojnë atë për të bërë të mundur kështu shmangien e një tragjedie. Viktor Tushaj e ka konsideruar gjendjen shumë alarmante duke kërkuar edhe ndërhyrjen e qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkaq është kërkuar mbledhja urgjente e këshillit bashkiak për të shqyrtuar çështjen. Ndërkaq, nga ana e sekretarit të prefekturës, është deklaruar se të zgjedhurit vendorë duhet të menaxhojnë më mirë fondet e mbledhura, si dhe t’i japin zgjidhje të menjëhershme banorëve të pallatit 16. Sipas sekretarit, katastrofa në këtë ndërtesë është thjesht çështje ditësh, si rrjedhojë edhe ndërhyrja duhet të jetë po aq e shpejtë.
Mosmarrëveshje pati dje në mbledhjen e shtabit të emergjencave civile lidhur me situatën në qark. Kreu i shtabit, Kastriot Kodheli, tha se sasia e reshjeve nuk ka krijuar përmbytje, por vetëm një situatë kalimtare dhe se gjithçka është nën kontroll. Megjithatë Kodheli është shprehur se disa nga punonjësit e hidrovoreve nuk kanë qenë në punë, pavarësisht rëndimit të situatës, çka ka sjellë edhe përmbytje të tokave. Ai ka kërkuar nga OSSH-ja dhe drejtoria e ujërave që të kishin nën vëzhgim hidrovoret. Ndërkaq, kreu i komunës Kolsh, territori i të cilit është përmbytur, ka deklaruar se ndërtimet e kryera në vite kanë qenë shkak për situatën. Sipas tij, përgjatë gjithë gjatësisë së kolektorit shkarkues ka ndërtime të cilat ka bërë edhe bllokimin e plotë të tij. Mbledhja e shtabit të emergjencave civile është konkretizuar me debate të ashpra në mes të kryekomunarëve dhe drejtuesve të të gjitha drejtorive të qarkut për mungesë angazhimi ndaj kësaj situate.