E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika deporton të dënuarin për vrasje

Eduart Alo nga Kolonja, është sjellë ditën e djeshme nga SHBA pasi është dënuar për një vrasje në vitin 1999

TIRANË- Deportohen nga Amerika disa shtetas Shqiptarë mes tyre dhe një 36-vjeçar i kërkuar nga policia për vrasje. Eduart Alo nga Kolonja është deportuar ditën e djeshme nga Amerika pasi ishte i kërkuar nga organet e drejtësisë shqiptare për veprën penale të vrasjes. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kolonjë, më datë 14 shtator të vitit 2000, e ka dënuar 36-vjeçarin Alo me 10 vjet heqje lirie, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”. Ngjarja për të cilën u shpall fajtor Eduart Alo ka ndodhur më datë 26 maj të vitit 1999 në një lokal pronë e tij në fshatin Qafëzez të Kolonjës kur ai ka vrarë me sende të forta Festim Saliun. Mësohet se Alo ka pasur një grindje në lokalin e tij me një klient të quajtur Festim Saliu. Kjo grindje ka pasuar me goditje me grushte dhe duke thyer disa gota, por kanë hyrë disa persona të tjerë të cilët kanë ndarë klientin dhe pronarin. Festim Saliu donte të paguante dëmin e shkaktuar, por Eduarti nuk e ka lejuar duke e nxjerrë nga lokali. I revoltuar Festim Saliu sapo del nga lokali, godet me gurë një automjet që ndodhej jashtë, si dhe qëllon me gurë në drejtim të lokalit. Pasi ka parë veprimin e klientit, Alo ka dalë menjëherë nga lokali dhe me një dru ka filluar ta godasë atë. Plagët e marra në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit kanë qenë fatale për Saliun i cili ka gjetur vdekjen. Policia nisi menjëherë hetimet dhe zbuloi autorin e ngjarjes Eduart Alon duke e shpallur atë në kërkim. Në vitin 2000 ai u dënua me 10 vite burgim për këtë ngjarje, ndërsa më datë 2 mars të vitit 2006 ai u shpall në kërkim ndërkombëtar. Ditën e djeshme ai mbërriti në aeroportin e Rinasit dhe iu dorëzua drejtorisë së përgjithshme të burgjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›