BE: Vendimi i Topit, i bazuar në ligj
TIRANË- Përparimi i Shqipërisë drejt statusit kandidat dhe drejt liberalizimit të vizave, varen nga ecuria e saj në fushën e sundimit të ligjit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ligji për azilin. Këto janë kushtet e ritheksuara dje në Bruksel nga ana e shefit të seksionit për Shqipërinë në KE, Dirk Lange, pas takimit që zhvilloi me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. "Diskutuam çështjet e krimit të organizuar, korrupsionit, sundimit të ligjit në përgjithësi dhe ne shohim disa progrese dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të përparuar. Dhe ne e inkurajojmë qeverinë t’i marrë seriozisht këto çështje dhe të shënojë progres në to", - tha shefi i seksionit për Shqipërinë në KE, Dirk Lange. Gjatë takimeve të Task-Forcës dhe komitetit të përbashkët BE-Shqipëri, Komisioni kërkoi afate edhe për ligjin mbi azilin, ndërkohë që në këtë takim u diskutuan edhe zgjedhjet e 2009-s. Lidhur me kthimin e Kodit për ri shqyrtim nga ana e Presidentit Bamir Topi, Large e mbështeti veprimin e tij, duke qenë se ai mbështetet në ligj. “Është një mënyrë e drejtë, nëse ka një analizë ligjore nga Presidenti të Kodit Zgjedhor, për të parë a ka problem me kohën dhe të kthehet në Parlament për t'iu kërkuar nëse është e nevojshme për t’u amenduar. Për mua është hapi i duhur dhe shpresoj, sigurisht, që Kodi do të miratohet në kohën e duhur, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen nëpërmjet Kodit të ri Zgjedhor, brenda afateve që parashikon legjislacioni juaj",- tha Lange. Nga ana tjetër, në raportimin e saj, ministrja Bregu theksoi rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton monitorimit të planveprimit lidhur me korrupsionin, monitorim ky që do të bëhet nga struktura në nivel të lartë administrativ. Këto struktura do të mblidhen gjatë këtij muaji dhe do të vendosin detyrat konkrete për t’u realizuar në vitin 2009. “E rëndësishme është që për çdo masë të ndërmarrë, do të ketë financim të mjaftueshëm për zbatimin e saj”,- tha Bregu.