Sekuestrohen pistoletat e truprojave të Berishës e kryegardistit Prendi
Grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit që po heton vrasjet e demonstratës së 21 janarit 2011 ka sekuestruar dje të gjithë pistoletat e efektivëve të Gardës së Republikës që ditën e protestës së opozitës ndodheshin brenda rrethimit të Këshillit të Ministrave, duke mos përjashtuar këtu as “truprojat” personalë të kryeministrit Sali Berisha.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit qendror të akuzës, si dhe atyre pranë Komandës së Gardës së Republikës. Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokuroria ka dërguar për ekspertim në laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore të gjithë pistoletat e kalibrit 9 mm që kishin në brez efektivët e Gardës të ndodhur brenda rrethimit të kryeministrisë ditën e demonstratës.
“Ditën e demonstratës së 21 janarit 2011, brenda rrethimit të Këshillit të Ministrave ndodheshin efektivët e njësisë nr. 2 të Gardës së Republikës që kishin për detyrë ruajtjen dhe sigurinë e ndërtesës së kryeministrisë. Por, për shkak të demonstratës së opozitës së bashkuar, komanda e Gardës kishte përpiluar planin e masave dhe urdhrin me nr. 28/1 të datës 19 janar 2011, sipas të cilit, në mbështetje të njësisë dy kishte shkuar edhe njësia speciale e Gardës së Republikës dhe efektivët e ruajtjes dhe sigurisë së personaliteteve.
Duke mos përjashtuar këtu edhe shoqëruesit e eskortës së kryeministrit. Të gjithë këta persona, që sipas regjistrit të armatimit ditën e demonstratës ndodheshin brenda rrethimit të kryeministrisë, me urdhër të prokurorisë kanë dorëzuar pistoletat e brezit për ekspertim balistik e krahasues me 14 gëzhojat dhe predhat e nxjerra nga trupat e viktimave”, – thuhet nga burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.
Sekuestrimi i këtyre pistoletave, sipas akuzës, është bërë për të gjetur autorët e 14 gëzhojave që ende nuk janë identifikuar se nga cila armë janë shkrepur dhe autorin e dyshuar për vrasjen e Faik Myrtajt apo edhe Aleks Nikajt, predha e të cilit ende nuk ka ardhur nga Turqia. “Meqenëse Garda e Republikës nuk i ka identifikuar vetë personat që kanë qëlluar me pistoletë ditën e demonstratës së 21 janarit 2011 dhe nga pamjet filmike nuk dallohen, jemi detyruar t’i sekuestrojmë të gjitha për të parë se cili është personi dhe arma nga ku janë shkrepur plumbat luftarakë drejt turmës apo edhe në ajër”, – thuhet nga Prokuroria e Përgjithshme.
Përveç këtyre pistoletave, prokuroria ka sekuestruar edhe armët e brezit të personelit të sigurisë së brendshme të ndërtesës së kryeministrisë, të cilët për të mos mbetur pa armë kanë marrë pistoletat e tjera që kishin në magazinën e Komandës së Gardës së Republikës. Nga ana tjetër, vetëm paraditen e djeshme, prokuroria dërgoi në laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore 10 pistoletat e fundit të sekuestruara një ditë më parë në Gardën e Republikës.
Këto pistoleta, i janë bashkuar 70 të tjerave që ndodhen në laborator dhe presin ekspertimin balistik dhe krahasues me gëzhojat dhe predhat e gjetura në trupat e viktimave. Pak ditë më parë, prokuroria i ktheu Gardës së Republikës 32 pistoleta të kalibrit 9 mm, të cilat rezultuan të pastra. Tashmë, pritet që nga 80 pistoletat që ndodhen në laborator të identifikohet arma nga janë nxjerrë 14 gëzhojat e “anonime” që janë gjetur në pjesën veriore të ndërtesës së kryeministrisë.
Sekuestrohen dhe armët e gjeneralit Prendi
Në mesin e pistoletave të sekuestruara dhe dërguara për ekspertim, sipas të dhënave të siguruara nga Laboratori i Institutit të Policisë Shkencore mësohet se janë edhe armët personale të vetë Komandantit të Gardës së Republikës gjeneralit nën hetim Ndrea Prendi. Sipas prokurorisë, arma e tij është sekuestruar që ditën e marrjes në pyetje dhe është dërguar për ekspertim balistike e krahasuese për të parë nëse ditën e demonstratës ka qëlluar edhe ai.
Deri më tani, sipas këtyre burimeve, nuk ka rezultuar se komandanti Prendi të ketë qëlluar me armën e tij të brezit. Përveç komandantit, prokuroria ka sekuestruar edhe pistoletat e kalibrit 9 mm edhe të të gjithë vartësve të tij që tashmë janë nën hetim.
“Iu janë sekuestruar pistoleta personale të të gjithë personave nën hetim në radhët e Gardës së Republikës, të cilat janë dërguar për ekspertim balistik dhe krahasues me gëzhojat dhe predhat e gjetura në trupat e viktimave. Ky krahasim, do të bëhet për të provuar nëse ata kanë qëlluar apo jo me armët e tyre pistoleta”, – thuhet nga prokuroria./shekulli/