E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet i pafajshëm, i hapi gropën pengut për ta djegur

21/04/2011  TIRANE- Gjykata për Krime të Rënda i jep pafajësinë personit që u akuzua se rrëmbeu atentatorin e tij dhe tentoi ta digjte me benzinë, pasi i kishte hapur gropën. Roland Domi ishte akuzuar se bashkë me persona të tjerë mori peng në vitin 2008, Elvis Gurrën, i cili kishte tentuar ta vriste. Por gjatë seancës së djeshme gjyqësore u vendos që ai të lirohej nga akuza dhe të mos ishte më person në kërkim. Gjykata ka vlerësuar se Domi nuk ka kryer vepër penale dhe nuk mund të jetë ende person në kërkim. Elvis Gurra ishte personi që u dënua për plagosjen e Domit, ndërsa pak muaj pas krimit i shpëtoi vdekjes në Arbanë ku donin ta digjnin e ta varrosnin.

I hapën gropën

Sipas kërkesës për gjykim të prokurorit të çështjes, Xhevat Hana, gjithçka nisi më 17 maj 2008, kur rreth orës 15:30, në lagjen "Ali Demi", Elvis Gurra qëlloi me armë në drejtim të Roland Domit dhe Çlirim Goroshjanit, duke i plagosur ata. Disa muaj pas ngjarjes, më 3 nëntor 2008, Domi kishte marrë vesh se "atentatori" kishte qenë Elvis Gurra. Ai bashkë me dy shokë të paidentifikuar, të veshur me uniforma policie trokitën në derën e shtëpisë së "viktimës" në Sauk. Gurra është rrëmbyer me forcë dhe është futur në veturën e markës "Volskswagen", "Passat" me targa italiane "AË 594 MH", ku është prangosur dhe është dërguar në afërsi të fshatit Arbanë, nga krahu i Saukut pranë lumit Erzen. "Gjatë rrugës e në vazhdim e kanë goditur, kërcënuar me armë, ndërsa i kanë thënë: Na ke hapur punë, kemi dy muaj që të ruajmë...do të vrasim, ti sna njeh neve, ne kemi bërë 20 vrasje, pse nuk mban përsipër vrasjen e shtetasit Ilir Neziri e Festim Hoxha që ne të regjistrojmë kur ti e pranon dhe të rrimë rehat, thuaj amanetin e fundit etj etj",-thuhet në kërkesën për gjykim të Prokurorisë. Pengu Elvis Gurra është zbritur pranë lumit Erzen dhe është ulur pranë një rrapi me duart të lidhura pas. "Në prani të të dëmtuarit, me një kazmë dhe lopatë (që i kishin në makinë) "rrëmbyesit" hapën një gropë të thellë mbi 1 metër dhe duke i thënë "pengut" se është për ty. Pasi hapën gropën e zhveshën lakuriq, dhe e futën në gropë duke ulur dhe me duar të lidhura nga pas me kanotierën e tij. Në këtë kohë, i pandehuri Domi bashkë me një person të paidentifikuar u nisën për te makina për të marrë acid dhe benzinë, me qëllim për të djegur Gurrën. Ai është lënë nën ruajtjen e një personi me pistoletë në dorë”,- thuhet në dosje. Në këtë kohë, Gurra mundi të lironte duart dhe u ngrit në këmbë, edhe pse personi që e ruante i kërkoi të mos lëvizte duke qëlluar drejt gropës dhe më pas e goditi atë me qytën e pistoletës në kurriz. Gurra arriti ta shtyjë "rojen" dhe u largua i zhveshur lakuriq. Ai u ndoq nga tre rrëmbyesit, që qëlluan 8 herë ndaj tij, por asnjë nga plumbat nuk e kapi. Pranë fshatit Vishaj, i çliruari, Gurra takoi disa policë, të cilëve i tregoi ngjarjen. Pas hetimit në vendin e ngjarjes, policia gjeti 8 gëzhoja, një gropë të hapur si varr, kanotierën e grisur dhe disa gjurmë këpucësh. Po atë natë policia në fshatin Varosh të Ndroqit gjeti të djegur plotësisht veturën e përdorur për rrëmbimin e Gurrës nga Domi dhe personat e tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›