E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekui Duhet debat konstruktiv ne hartimin e ligjeve

Reforma në sistemin gjyqësor nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e forcave politike. Ky ka qenë mesazhi i fortë që ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui dha gjatë takimit mbi ndryshimet e ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, organizuar me nismën e EURALIUS, misioni i ndihmës europiane në sistemin e drejtësisë.

“Për të hartuar një ligj duhet të ketë debat konstruktive dhe gjithëpërfshirës të palëve. Ky është prioriteti kryesore për t’u përfunduar. Rregulli dhe ligji duhet të vendosen nëpërmjet konsensusit politik, duke zhvilluar debate konstruktive. Përgjegjësia e anëtarëve të konferencës gjyqësore nga ana tjetër mund të ndikohet në jetën e qytetarëve”-theksoi Sekui.

Misioni i BE-së ka dhënë një fond prej 100 milionë eurosh për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ministri i drejtësisë Eduard Halimi e cilësoi projekt-ligjin për Konferencën Gjyqësore si pjesë domethënëse në legjislacion për sistemin e drejtësisë. Halimi nuk shmangu qëndrimet e ashpra të ndërkombëtarëve për mënyrën e transferimeve të disa gjyqtarëve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

“Si kurrë më parë disa ekspertë të Bashkimit Europian publikuan në raportet e tyre fakte tronditëse për procesin e transferimeve dhe promovimeve në KLD, duke deklaruar haptazi një lidhje të tyre me çështjet e korrupsionit”. Është absolutisht e papranueshme që transferimet në gjykata dhe promovimet të bëhen duke përjashtuar konkurrimin dhe marrjen parasysh të vlerave e meritave. Ku këto lëvizje bëhen pa kriter pa konkurrim dhe vlerësim por vetëm mbi baza njohjesh e influencash, i kemi bërë atentat të frikshëm sistemit të drejtësisë.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të të gjitha instiucioneve që janë përfshirë në këtë reformë, si gjyqtarë të gjykatës së Lartë dhe Gjykatave në Rrethe, anëtare të KLD-së , anëtarë të komisionit Parlamentar për Çeshtjet Ligjore, Administratës Publike dhe përfaqësues nga organizata ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›