E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selam mik!

Ndoshta është vetëm një këndellim i imi për shkak të ndjesive personale, ose ndoshta e ka edhe një kuptim me dimension dhe interes sado periferik, publik Ndonëse më duket gati paradoksale që ndonëse  kam mbi 1 javë që jam larg Tiranës, atje ka ardhur një njeri ndaj të cilit kam shpresuar përherë. Ky njeri e ka emrin Eduart Selami. Madje, ndërsa Eduarti takohej në Tiranë me miq të vjetër të PD-së e më gjerë, unë po kaloja një kohë të shkëlqyer në Washington DC, në një ritakim me miq të mi, ish-shokë klase me të cilët kishim studiuar së bashku në Harvard në vitin 2008. Ndërsa Eduarti deklaronte në Tiranë se ai nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në atdhe për t’u shndërruar sërish në një aktor dhe faktor në fushëbetejën për demokratizimin dhe perëndimizimin e Shqipërisë, mua, plot dashamirësi duke m’i ngulitur fort sytë, ish-shoku im i dhomës gjatë studimeve, Gjenerali i Ushtrisë Amerikane, Frank Padilla më këshillonte: ’Arian, tashmë që ke studiuar në Harvard, kur të kthehesh në Shqipëri, bëhu njeri i vlefshëm për qytetarët e tu. Mos e përdor dijen, as miqtë që ke bërë këtu në SHBA, dhe as përvojën e mençurinë për të skemuar. Vetëm kështu do të mundesh të bëhesh historibërës në vendin tënd’. Më duhen ende edhe pak ditë për t’u rikthyer në Tiranë, por nuk mundem të qëndroj i padeklaruar ndërsa jam larg vendit tim të dashur, ndaj një njeriu me të cilin do të dëshiroja ta pija një kafe kujtimesh të vjetra dhe projektimesh të reja.

Për herë të parë e kam takuar Eduart Selamin në qershorin e vitit 1992. Asokohe unë kisha hyrë në vitin dytë si i zgjedhur kryetar i FRPD për degën e Vlorës. Na kishin dërguar telegram se duhej të shkonim në Tiranë për të zgjedhur kryetarin e ri të FRPDSH, pasi Ridvan Peshkëpia ishte larguar. Më thirrën në Kryesinë e PD-së Vlorë, dhe më thanë se porosia nga lart ishte që të votonim për një djalë nga Shkodra që quhej Arben Lika. U nisa në Tiranë dhe hyra në sallën në kat të dytë, që për vite me radhë ka shërbyer si sallë mbledhjesh dhe konferencash shtypi në PD. Salla ishte plot, dhe ne të gjithë po prisnim ardhjen e kryetarit të PD-së, Selami. Ai erdhi, mbledhja filloi dhe që në krye të fjalës së tij la të kuptohej, sikurse mua më kishin porositur në Vlorë, se ne ishim mbledhur aty për të zgjedhur kryetar të ri të FRPDSH-së, Arben Likën. U votua formalisht, por nuk është se u konsumua ndonjë akt demokratik real. Sidoqoftë, unë nuk kuptoja asgjë në atë kohë. Vetëm isha i lumtur, sepse porosia e PD-së në Vlorë dhe e kryetarit të PDSH-së, Selami përputhej plotësisht me dëshirën time, ngase Arben Lika ishte ndërkohë miku im më i shtrenjtë. Pas 1 viti, në korrik 1993, në rithirremi sërish në po të njëjtën sallë, por kësaj radhe porosia e Partisë ishte që ne të shkarkonim Arben Likën nga detyra e kryetarit të FRPDSH-së. Përsëri Eduart Selami ishte ai që drejtonte mbledhjen dhe përsëri që në krye të fjalimit të tij, ai e bëri të qartë pozicionin e tij dhe të partisë se Arben Lika duhej të largohej. Unë dhe shumë pak, por vërtet shumë pak vetë, u ngritëm në këmbë dhe reaguam kundër këtij vendimi të partisë. Debatova me Eduart Selamin dhe pasi e kisha të pamundur ta bëja zërin tim djaloshar dhe plot pasion të dëgjohej, dola nga salla thellësisht i pezmatuar. Pas disa ditësh lexova në gazetën ‘Rilindja Demokratike’ emrin tim si i përjashtuar nga Këshilli Kombëtar i FRPD-së. Më tutje, edhe dega e PD-së Vlorë filloi një luftë të pareshtur dhe absurde kundër meje për të më larguar nga detyra ime si kryetar i FRPD-së për degën e Vlorës. Rezistova aq sa munda. Në shtator 2004 u largova në heshtje. Arben Lika mbeti miku im më i shtrenjtë, ndërsa Eduart Selami më vinte në mendje si një grimasje e padëshiruar. Në vitin 1995, u zhvillua Kuvendi i Jashtëzakonshëm i PDSH-së. Mbledhjen e drejtonte Sali Berisha. Eduart Selami ishte tashmë në pozicionin që pak muaj më parë kishte qenë Arben Lika. Unë isha pa të drejtë vote në atë Kuvend, por nëse do ta kisha këtë të drejtë, ndonëse shumë i zemëruar dhe i mërzitur me Eduart Selamin, gjithsesi do të kisha votuar në favor të tij. Unë nuk e di nëse Eduarti më mban mend apo jo, por më vonë, edhe para se ai të ikte në SHBA, por edhe në rikthimet e tij të shkurtra, ka rastisur të takohemi dhe rrufisim së bashku edhe me miq të tjerë nga një kafe. Eduarti, pa tribunën dhe foltoren e PD-së, më dukej shumë njerëzor, me ide të mira për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe më ngjallte sinqerisht dëshirën e madhe për t’u bërë mik me të. Më tej, ndërsa unë rritesha në vite, nuk pata më shansin të takohem me të. E kam ndjekur me shumë interes çdo intervistë apo ndërhyrje të tij nëpërmjet mediave. Shpesh herë kam qenë krejtësisht i të njëjtit mendim me të, herë të tjera jo. Sidoqoftë, ndërsa vitet shkonin, unë dhe Eduarti po komunikonim me njeri-tjetrin pa e ditur dhe pa e pasur qëllim në vetvete. Veçse, unë këto vite nuk isha më as në cepat e tavolinave ku rrufisnim kafe miqësore dhe ndonjëherë më vinte radha edhe mua të flisja, ndonëse isha më i vogli dhe më i papërfillshmi. Këto vite Eduarti komunikonte edhe me mua, sikurse komunikonte edhe me publikun dhe demokratët shqiptarë, nëpërmjet ‘ekos së tribunave dhe foltoreve’ që dikur i kishte pasur të tijat si kryetar i PD-së. Deri pak muaj më parë, ndërsa unë vazhdoja me këmbëngulje të qëndroja anëtar i palëkundur i PD-së, kjo mënyrë komunikimi e Eduartit me ‘ekon’ e ish-kryetarit, më voliste dhe pëlqente. Por, sot që unë kam vendosur të largohem si anëtar i PD-së dhe së bashku me disa miq të mi, me të cilët kemi qenë për vite me radhë kontribues të sinqertë në PD, por zyrtarisht të pakonsideruar dhe të papërfillur nga ‘udhëheqësia e PD-së’, vendosëm të krijojmë një parti të re të qendrës së djathtë që e quajtëm LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë. E duke qenë se asnjeri nga ne nuk kishte pasur kurrë shansin apo mundësinë për t’u promovuar në strukturat drejtuese të PD-së, vinte krejt natyrshëm pamundësia dhe padëshira jonë për të folur me/apo nga ndonjë ‘eko’ e PD-së. Ne nuk krijuam një parti mllefi, pakënaqësie, ndarjeje pushteti, zemërate, apo konflikti. Ne krijuam një parti nëpërmjet së cilës të mund të vazhdonim udhën tonë, që dikur pafajshmërisht e kishim nisur në PD dhe kësisoj t’i jepnim një alternativë të re dhe një shans të ri gjithë të djathtës, madje edhe vetë PD-së për t’u ripërtërirë. Ne krijuam një parti duke pasur në mendje një të ardhme ku nuk ka të përjashtuar, porse të gjithë janë të përfshirë, sigurisht duke lejuar, dhe ndoshta pranuar ripërtëritjen morale si pikëlidhje themelore. Ndaj Eduart, sot që ti je në Tiranë dhe unë në Washington, po të drejtohem publikisht sikurse unë kam përthithur deri më tash komunikimin tënd me mua. Sot unë po të drejtohem si kryetar i një partie të re dhe shumë të vogël politike të qendrës së djathtë, duke e ditur se ti ende je ish-kryetari i ish-partisë sime, në të cilën së bashku dhamë emocione, besim, shpresa, sakrifica, kontribute për vite e vite me radhë që në zanafillën e saj. Jemi të dy ende shumë të rinj. Jemi të dy plot eksperiencë dhe gatishmëri politike. Kësisoj, bashkë me shumë miq të tjerë, kemi të dy kohë për të vazhduar betejën tonë të nisur dikur, për demokratizim dhe perëndimizim të Shqipërisë. Ti ke ende kohë për të mos u paraqitur më thjesht dhe vetëm si ish-kryetar i PD-së, e unë kam ende kohë për të të dhënë votën e besimit, që nuk munda të ta jap në vitin 1995. Uroj që të të gjej ende në Tiranë kur të kthehem javën që vjen, por e rëndësishme është që kur unë të kthehem në Tiranë dhe ti në SHBA, ne të dy të fluturojmë nëpër të njëjtën frekuencë, që synon ripërtëritjen morale në Shqipëri dhe ripërtëritjen e qendrës së djathtë. Ka ardhur koha që Shqipërisë t’i dalim zot të gjithë ne që e duam sinqerisht dhe pastërtisht. Dalëzotsat duhet të bëhen bashkë për t’i dhënë frymëmarrje shpresës. Eduart, atdheun e meriton, ai që e duron. Nëse vërtet ke në planet e tua mundësinë e rikthimit në Shqipëri, mos u vono. Eja që ta durojmë së bashku këtë atdhe të shumëvuajtur. Eja që ta vazhdojmë së bashku betejën e sinqertë për demokratizim dhe perëndimizim, të cilën e nisëm në fillimin e viteve ‘90, dhe kurrë nuk e braktisëm, por që na e ‘zaptuan, fshehën dhe keqpërdorën’. Ne jemi, ne mundemi!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›