E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi në Pragë PS, anëtare me të drejta të plota e PES

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste e Shqipërisë është zgjedhur anëtare me të drejta të plota e grupit të Partive Socialiste Evropiane në kongresin që u zhvillua në Pragë. Ndërsa kreu i saj, Edi Rama është zgjedhur anëtar i presidencës së PES. Në fjalën përshëndetëse pas këtij vendimi, kryesocialisti Rama e ka quajtur këtë moment si historik. Kjo, sipas tij, është një mundësi që zëri i PS-së dhe i gjithë shqiptarëve të dëgjohet tashmë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Parlamentin Evropian dhe në të gjitha strukturat e tjera ndërkombëtare. Më tej, ai ka pohuar se gjatë punimeve të kësaj konference PES është shprehur qartë në mbështetje të socialistëve shqiptarë dhe kërkesave të tyre për transparencën e plotë të procesit zgjedhor të 28 Qershorit.

Vendimi

“Ky është një moment historik për Partinë Socialiste, është moment historik për gjithë socialistët dhe progresistët shqiptarë, sepse ne sot jemi anëtarë me të drejtë vote të Partisë Socialiste Evropiane. Pra PSSH është integruar në BE, duke u bërë pjesë e PSE, me të drejtë vote, me përfaqësi në Kongresin dhe Presidencën e saj”, - tha dje Rama. Ai u shpreh krenar që PS-së i krijohet mundësia që zëri i saj të dëgjohet në këtë strukturë të socialistëve dhe progresistëve evropianë, që ka zëdhënësit e vet në Parlamentin Evropian dhe mishëron idealet e këtij shekulli, duke përfaqësuar të gjitha partitë socialiste dhe progresiste të BE, dhe duke pasur në përbërjen e saj të gjithë liderët socialistë dhe progresistë që kanë drejtuar, drejtojnë dhe do të drejtojnë vendet e BE, dhe që sjellin në këtë parti eksperiencën e jashtëzakonshme dhe fuqinë e jashtëzakonshme të së majtës evropiane. Rama ka pohuar më tej se PES ka mbështetur argumentet e PS-së dhe kërkesat e saj për zgjedhjet. “PES është shprehur qartë në mbështetje të PSSH, në mbështetje të kërkesave tona legjitime, për të bërë transparencën e plotë të procesit elektoral të 28 Qershorit, në mbështetje të një hetimi të thellë dhe të plotë parlamentar, duke filluar nga transparenca e kutive të votimit. Është shumë e rëndësishme sot, që socialistët dhe progresistët shqiptarë kanë marrë këtë mbështetje dhe duke filluar nga sot ne jemi pjesë e kësaj Partie Socialiste të evropianëve në gjithë hapësirën e BE, e cila mbron të drejtat tona, e cila është avokate e lirive dhe njëkohësisht të gjitha të drejtave ligjore, kushtetuese, qytetare të të gjithë atyre që e përbëjnë këtë forcë të madhe”, - tha ai. Rama pohoi se socialistët evropianë kanë mbështetur dhe qëndrimin e PS-së për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave. “Po ashtu, unë jam shumë krenar, sepse sot ne kemi marrë edhe një mbështetje të plotë edhe nga PSE, për qëndrimin tonë lidhur me domosdoshmërinë që procesi i liberalizimit të vizave të përshpejtohet në nivelin e BE dhe që Shqipëria e shqiptarët të mos paguajnë asnjë kosto për një proces politik të mbërthyer nga një ngërç i madh, që është marrë peng nga pushteti i Sali Berishës, por përkundrazi, të lëvizin lirisht një orë e më parë si gjithë të tjerët në Ballkan, kur për fat të keq, ne kemi mbetur të fundit”, - përfundoi fjalën e tij Rama në konferencë pas vendimit për anëtarësimin e PS-së në PES. Me votimin e Partisë Socialiste Shqiptare, numri i Partive Socialiste Evropiane shkon në 29. Në këtë grupim janë pjesë parti si PASOK e kryeministrit grek Papandreu, Partia Laburiste Angleze e Gordon Braunit, demokratët e majtë italianë të Piero Fassinos, Partia Socialiste Franceze e Martin Aubry, Partia Demokratike Serbe e Boris Tadiçit, Partia Socialiste Spanjolle e kryeministrit Zapatero, kryeministri portugez, Sokrates, kancelari i Austrisë, Fauman, kryeministri sllovak, Robert Fiço, kryeministri slloven, Borut Pahor etj.

Rasmunssen: “Të bashkëpunojmë për të mirën e Shqipërisë”

Presidenti i Partive Socialiste Evropiane, Poul Nayrup Rasmussen, ka përshëndetur anëtarësimin e Partisë Socialiste Shqiptare në familjen e socialistëve evropianë. “Sot është një ditë historike. Në emër të PES unë i uroj mirëseardhjen Partisë Socialiste të Shqipërisë në familjen evropiane të socialistëve. Shpresoj që ju do të dini të ecni përpara duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, ashtu si ne të gjithë bëjmë brenda familjes sonë. Ju uroj edhe një herë e shpresoj që të mund të bashkëpunojmë për të mirën e Shqipërisë”, - ka pohuar Rasmussen në fjalën e tij.

Zëdhënësja e PES dhe LSI
“Partia Socialiste Evropiane, asnjë rezolutë për Shqipërinë"

Zëdhënësja e Partisë Evropiane Socialiste, Silke Tomson dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kundërshtuar një deklaratë për media të shpërndarë nga PS, sipas së cilës “në Kongresin e Partive Socialiste Evropiane që po zhvillohet në Pragë, u mbajt një takim i posaçëm për çështjet e Ballkanit ku u propozua një qëndrim i PES mbi zhvillimet politike në Shqipëri”. “ Kongresi i Partisë Socialiste Evropiane (PES) nuk ka miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë”, – ka pohuar dje zëdhënësja e Partisë Evropiane Socialiste, Silke Tomson. Edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka kundërshtuar deklaratat e socialistëve. “Sigurisht të gjendur në vështirësi të mëdha për arsye të një bojkoti vetëvrasës, Edi Rama ka arritur në marrëzinë e tij politike që të shpikë edhe veprime që nuk kanë ndodhur kurrë, edhe rezoluta që nuk kanë ekzistuar kurrë. Është e qartë që Edi Rama ka demonstruar sjelljen më të papërgjegjshme dhe më skandaloze duke iu referuar dhe mashtrimeve të mëdha publike të karakterit të lartë politik”, - tha Vasili. Ai sqaroi se në konferencën e fundit të Partive Socialiste Evropiane nuk është miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë, përkundrazi delegacionit të Partisë Socialiste, drejtuar nga Edi Rama, i është bërë thirrje e qartë publike që ti japë fund bojkotit, të shkojë sa më parë në Parlament, debati parlamentar dhe çdo veprim tjetër i karakterit politik të kryhet në sallën e Parlamentit. “Ky skandal dhe mashtrim i radhës, sigurisht që është pjellë e një momenti shumë të vështirë, të një situate pa rrugëdalje dhe të një ndërthurjeje të shëmtuar, siç po bëhet e qartë dhe publikisht, të interesave të politikës së keqe dhe politikës së pistë. Në këtë pikëpamje ne e dënojmë këtë standard të turpshëm. Sigurisht është goxha më i turpshëm se skandali i djeshëm ku në konferencën e punës me përfaqësuesit më të lartë të Partive Socialiste Evropiane, zoti Rama u ngrit dhe doli jashtë në momentin kur zoti Meta po mbante fjalën e tij, pasi zoti Rama kish mbajtur fjalën e tij”, - tha ai. Vasili pohoi se LSI do të vazhdojë të denoncojë këto veprime, por dhe të dëshmojë dëshirën për dialog parlamentar, duke përsëritur ftesën që PS të shkojë në Kuvend. Sipas zyrës së PS-së, në këtë dokument që mori pëlqimin e të gjithë të partive në tryezë thuhej se “Partia e Socialistëve Evropianë shpreh shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria. PES i jep mbështetje të plotë qëndrimit të mbajtur nga Internacionalja Socialiste mbi krizën me të cilën përballet Shqipëria dhe thekson se në Shqipëri demokracia duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 Qershorit duhet të mbështeten”.

Ky lajm është publikuar: 09/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›