E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënuesi i Pashajt, i lokalizuar në SHBA

Ai ishte prezantuar në “Facebook” me emrin Ilirian Skëndaj, por më vonë e fshiu adresën e tij

Policia shqiptare nuk ka mundur të identifikojë kërcënuesin e Myslym Pashajt, kolonelit që denoncoi marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë, pasi mesazhet në rrjetin social në internet “Facebook” janë lokalizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërcënuesi ishte regjistruar me emrin Ilirian Skëndaj, por më vonë, ai e ka ndryshuar ose e ka fshirë adresën duke zhdukur gjurmët për policinë shqiptare.

Burimet policore të kryeqytetit kanë shpjeguar në lidhje me këtë kërcënim se Myslym Pashaj, 64 vjeç, është paraqitur në polici që më 22 dhjetor. Pikërisht paraditen e asaj date, ai është paraqitur në Komisariatin Nr. 2, ku ka deklaruar se ishte kërcënuar nëpërmjet postës elektronike dhe në faqen personale që ai kishte hapur në rrjetin social të internetit “Facebook”. Sipas deklaratës së tij dhe verifikimeve të policisë, kërcënuesi kryesor është identifikuar me emrin Ilirian Skëndaj, por asnjëherë nuk është vërtetuar identiteti i tij. Në këto kushte, policia ka nisur verifikimet, duke u munduar të lokalizojë serverin (rrjetin e internetit), nga ishin nisur mesazhet kërcënuese. Aktualisht strukturat për identifikimin dhe goditjen e krimeve kompjuterike në policinë shqiptare janë të reja dhe vështirësia për gjetjen e autorëve është e madhe. Në këto kushte, duke vënë në punë specialistë të kompjuterëve, policia ka mundur të gjejë IP-të (numrat personalë identifikues) kompjuterike nga janë nisur këto mesazhe. Por, gjatë verifikimeve ka rezultuar se ato ishin nisur nga serverë që ndodhen në SHBA, por pa u përcaktuar për degëzimet në vendet e tjera, pasi poseduesit e tyre japin hapësira me qira në këta serverë për krijimin e faqeve personale në internet.

Megjithatë, teksa policia punonte me metodat speciale të hetimit për të identifikuar kërcënuesin e prezantuar me emrin Ilirian Skëndaj, i cili ishte i regjistruar edhe në “Facebook”, ky i fundit e ka mbyllur faqen e tij personale, duke i lënë hetimet në mes. Gjithashtu, policia mendon se ai edhe mund të ketë ndryshuar emrin e përdoruesit në këtë faqe, pasi vazhdon të ketë në linjë edhe shumë miq të tjerë të tij. Deri tani, ende nuk është mundësuar identifikimi i plotë i tij dhe dërgimi i dosjes për procedim penal, por policia deklaron se në bashkëpunim me prokurorinë vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti kriminal.

Pashaj ka deklaruar se në adresat e tij private në internet, i janë dërguar mesazhe kërcënuese që e paralajmërojnë për një fund tragjik, të ngjashëm me atë të biznesmenit Kosta Trebicka. “Edhe ti si Trebicka do përfundosh o tellall. Paret do t’i marrësh me vete, se ditët të numëruara i ke”, është përmbajtja e një prej e-mail-eve që i janë dërguar kolonelit, i cili i deklaroi këto në një intervistë për median e shkruar. Myslym Pashaj është personi i cili denoncoi në media skandalin për marrëveshjen e lidhur mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për kufirin detar. Kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, e cila dha edhe argumentet ligjore dhe kushtetuese për moszbatimin e saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›