E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stephen Cristina: Kuvendi, Kryeministria dhe media ndërhynë te hetimi për Gërdecin

Nga Lorenc Vangjeli, Revista “Mapo”

Zv/ambasadori amerikan, Stephen Cristina, qëndron i mbështetur në karrigen e tij dhe sheh ngultas, teksa përgjigjet me një shqipe korrekte, madje shumë më korrekte dhe se e shumë qytetarëve që e kanë shqipen gjuhë të nënës. Mbas shpinës së tij është një hartë e madhe e Shqipërisë dhe biseda me zotin Cristina është e përqendruar në pikëpamjet e një diplomati të lartë amerikan për vendin, të shkuarën, të sotmen dhe të nesërmen e tij. Për zv/ambasadorin amerikan nuk ka tema të ndaluara, ka përgjigjen e tij për gjithçka: ndalon më tepër diku dhe përdor një gjuhë tejet diplomatike në një temë tjetër. Si e tillë, intervista e zotit Cristina për revistën “Mapo” është mjaft interesante, edhe kur lexohet, por edhe kur secili lexues komenton të pathënat diplomatike të këtij miku të shqiptarëve. Madje, shkon dhe më tej, kur ka dhe një pyetje për veten, një pyetje që shpreh edhe brengë, edhe besim, edhe bindje: “Kur do të kenë vetëbesim shqiptarët për të përballuar korrupsionin jo vetëm në nivele politike, por edhe në nivele shoqërore”?

Zv/ambasadori amerikan, Cristina, flet për çështjet e bujshme që kanë tronditur opinionin shqiptar, por dhe qeverisjen, hetimin e filluar gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, hetimin për rrugën Rrëshen-Kalimash dhe përpjekjet nga politika për devijimin e tyre.

Zoti Cristina flet për anëtarësimin e vendit në NATO dhe thotë se “vetëm suksesit i sigurohen shumë nëna, kurse dështimit jo!”

Nuk e fsheh sigurinë e tij, kur përgjigjet për përfundimin pozitiv të hetimeve të Kongresit amerikan dhe pushimin e të gjitha akuzave dhe dyshimeve që u ngritën pothuaj një vit më parë për ambasadorin Withers dhe personelin tjetër të lartë të ambasadës. Në atë kohë, revista “Mapo” botoi për herë të parë ato prova, të cilat më pas u pranuan, siç duket si të tilla, nga Kongresi amerikan. Por zoti Cristina, megjithatë, hesht për rolin e tij të mundshëm në hetimin amerikan për çështjen e fishekëve kinezë që kaluan përmes Rinasit drejt Afganistanit. “Nuk mund t’ju përgjigjem. Shpresoj të më kuptoni”, - thotë. Madje shkon dhe më tej, kur “implikimin” e mundshëm të segmenteve të caktuara shqiptare në akuzën e vjetër, tashmë të rrëzuar, nuk e konsideron kurth, por politikë

Pak kohë më parë, Raporti Vjetor i të Drejtave të Njeriut nga Departamenti amerikan i Shtetit u komentua në mënyra të ndryshme në Tiranë. Pati mendime pro dhe kundër, madje u pa edhe si plagjiaturë e raportit të Bashkimit Evropian të 2007. Cili është komenti juaj mbi këtë? Cilat janë pikat kryesore, ku shoqëria shqiptare është problematike?

Ka disa fusha, ku shoqëria, por edhe qeveria duhet të zhvillohet shumë. Ekziston, për shembull, problemi i trafikimit, një problem shumë i madh. Unë mendoj që qeveria ka bërë shumë, por ka akoma edhe më shumë për të bërë. Qëndrimi ndaj minoriteteve është ende i keq. Ndaj njerëzve me ngjyrë gjithashtu, ka ende shumë fëmijë që lypin në rrugë. Ndaj të burgosurve që ende nuk trajtohen në mënyrë të civilizuar. Edhe homoseksualët trajtohen keq. Por këto nuk janë vetëm probleme qeveritare, por probleme shoqërore. Kryesorja për mua është qëndrimi ndaj minoriteteve dhe ndaj trafikimit, por gjithashtu edhe të burgosurve. Njerëzit në burg duhen respektuar, pasi ata janë njerëz përpara së gjithash.

Duke iu referuar sërish raportit, ka pasur shqetësime të vazhdueshme mbi sistemin gjyqësor dhe ndërhyrjet e politikës në të. Hetimi për rrugën Rrëshen-Kalimash ishte bllokuar, hetimi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit sapo ka nisur dhe ka sinjale të qarta nga media dhe politika, të cilat sinjalizojnë se politika ka ndërhyrë në këto hetime. Cili është komenti juaj? Ka ndërhyrë politika?

Së pari dua të theksoj që në raport ne kishim shprehur shqetësimin tonë mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor. Sipas nesh, ka pasur tentativa për të ndërhyrë në procesin e institucioneve të pavarura, sidomos Prokurorisë. Unë mendoj që kjo përbën problem. Kuvendi është përpjekur të ndërhyjë, kryeministri i ka kritikuar, edhe media është përpjekur të ndërhyjë në zhvillimin e hetimit të Gërdecit. Ka pasur sulme shumë të ashpra ndaj prokurorisë, që kanë qenë një tentativë për të ndikuar në zhvillimin e hetimeve.

Për ne, si amerikanë, është normale që të gjithë të kemi opinionin tonë për Gërdecin, se çfarë ka ndodhur apo kush është fajtori. Kjo është normale. Por nuk është e mirë për demokracinë që një institucion të përpiqet të kontrollojë një institucion tjetër që sipas Kushtetutës është i pavarur. Dhe ky është një problem për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.

Ju mendoni se ka pasur ndërhyrje nga Kryeministria, Kuvendi apo nga të tjerë?

S’e di që ka pasur ndërhyrje, por ka qenë pa diskutim përpjekje. Më duket se ka qenë një deklaratë e dhënë nga Kuvendi që i diktonte zonjës Rama se duhet të hetonte ushtrinë dhe jo zotin ministër. Nuk i përket autoriteteve të Kuvendit kjo deklaratë. Ne kemi thënë shumë herë që duhet të lejohet që prokuroria të zhvillojë hetimet.

Është mbushur një vit nga tragjedia e Gërdecit, keni ndonjë mesazh të veçantë për viktimat e saj?

Shpresoj që të lënduarit kanë filluar që dalëngadalë t´i kthehen normalitetit për të rindërtuar jetët e tyre.

Një nga arritjet e Shqipërisë në këto vite është anëtarësimi i plotë në NATO. Por unë shoh me shqetësim tentativën për ta privatizuar këtë sukses. Pozita thotë që është sukses i yni, opozita thotë që është dhe kontributi ynë. Ju si e shihni këtë fenomen?

Ne kemi një shprehje në anglisht që thotë: “Suksesi ka shumë nëna, ndërsa dështimi është jetim”. Është normale. Administrata Bush, Clinton, Obama, të gjithë duan të marrin për vete frytet e suksesit dhe kjo është normale. Por ne, si NATO, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi thënë gjithnjë hapur se kjo është një shenjë bashkëpunimi mjaft e mirë midis të gjithë shqiptarëve. Jo vetëm qeverisë, por gjithashtu edhe opozitës. Mos harroni që reformat filluan gjatë administratës së Nanos. Do të thotë që administrata Berisha ka bërë shumë përparime në reformat e ushtrisë, por ato janë ndërtuar mbi reformat që ishin bërë më herët.

Jemi në prag të fushatës elektorale dhe klima është tejet e nxehtë. Një nga pretendimet e opozitës është pajisja e qytetarëve me karta identiteti dhe frika e shprehur qartë se zgjedhjet mund të manipulohen. Sipas bindjes suaj, çfarë do të thotë për Shqipërinë dhe këtë klasë politike, çdo mosrealizim i standardeve?

Është e domosdoshme që zgjedhjet të zhvillohen më mirë se në të kaluarën, sidomos tani që vendi juaj është anëtar i NATO-s. Por jo vetëm për këtë. Ju aspironi të bashkoheni në BE. Dhe vëmendja e të gjithë evropianëve do të përqendrohet në zhvillimin e zgjedhjeve këtu. Ata nuk duhet të kenë asnjë dyshim. Unë mendoj personalisht që kartat e identitetit janë një hap përpara në krahasim me certifikatat. Mendoj që çdo qytetar që ka të drejtë dhe dëshirë të votojë, do të furnizohet me kartë. Ky do të jetë një hap shumë përpara edhe përkundrejt e manipulimeve.

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ende nuk ka mundur të zhvillojë zgjedhje të lira. Nëse ky skenar i keq ndodh edhe përtej 28 qershorit, cila do ishte pikëpamja juaj?

Nëse do të kemi një dështim, unë shpresoj që jo, por nëse Shqipëria nuk i zbaton standardet, do të jetë një hap prapa për aspiratën tuaj për t’u bashkuar në BE.

Në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një proces hetimor ndaj kompanisë AEY, e cila mundi të fitonte një kontratë me Pentagonin, por në kundërshtim me ligjin amerikan, dërgoi fishekë me orgjinë kineze në Afganistan. Ju mund të na thoni në ç’pikë janë hetimet?

Unë e di që është një hetim shumë i rëndësishëm në vazhdim e sipër në Amerikë, por nuk e di se në cilën fazë janë hetimet.

Është publikuar se ju personalisht keni pasur një rol aktiv në zbulimin e këtij fakti, pra që nga Shqipëria nisej, në kundërshtim më ligjet e SHBA, municion kinez. Është publikuar që ju keni qenë pjesë e këtij hetimi që në maj 2007. Ndonjë prononcim për këtë?

Unë së pari kam marrë vesh për këtë çështje nga një artikull i “New York Times” bazuar në një letër që komisioni i kongresmenit Waxman i kishte dërguar Sekretares së Shtetit, Rice. Më duket se ka qenë në datën 23 qershor. Kjo ka qenë hera e parë që unë kam pasur një dyshim mbi këtë çështje dhe u përfshiva në të.

Pyetja ime ishte se, kur keni pasur dijeni për këtë çështje? Ne disponojmë prova - publikuar në revistën “Mapo” - që ambasada e SHBA është vënë në dijeni për këtë çështje në shtator të 2007. Në dijeninë tonë është gjithashtu që ambasadori Withers dhe ju keni njoftuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe më pas një mekanizëm i tërë u vu në lëvizje.

Unë nuk mund t’ju përgjigjem për këtë çështje, pasi është hetimi që ende nuk ka përfunduar në gjykatë. Nuk mund t’ju përgjigjem. Shpresoj të më kuptoni.

Atëherë një koment tjetër. Departamenti i Shtetit hodhi poshtë përfundimisht, dy apo tri javë më parë akuzat që ishin ngritur për zotin Withers dhe një pjesë të personelit të ambasadës amerikane.

Së pari dua të them që ky nuk ishte lajm për ne. Ne gjithnjë e dimë që e kishim kryer dhe kryejmë detyrën tonë në mënyrë korrekte, gjithmonë. Por ishte një lehtësim, pasi ishim akuzuar publikisht për diçka që ishte shumë e tmerrshme për një zyrtar amerikan, besnik, që kryen detyrën e tij në mënyrë korrekte. Unë do doja të përsërisja diçka që ambasadori ka thënë publikisht se, “pavarësisht akuzave, ishim gjithnjë të sigurt që pas një hetimi të plotë do të ishte e qartë që nuk kemi bërë asgjë jolegale apo jokorrekte”.

A jeni i zhgënjyer që ky ambient, segmente të caktuara të klasës politike shqiptare në një mënyrë apo një tjetër ngritën një kurth për të përfshirë ambasadën e SHBA në këtë histori?

Është e qartë që midis Amerikës dhe Shqipërisë ekziston një marrëdhënie shumë e bukur. Pothuajse çdo politikan, opozita dhe qeveria pretendojnë që janë miq me SHBA. Është normale që të gjithë të duan të kenë një marrëdhënie shumë të mirë me Amerikën, pra me ne. Nuk ishte kurth, ishte thjesht politikë.

Pyetja e fundit është për ju, në lidhje me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Juve, përballë një gazetari shqiptar, çfarë pyetjeje do t’i bënit vetes, çfarë pyetjeje do donit t’i jepnit përgjigje?

Kur do të kenë vetëbesim shqiptarët për të përballuar korrupsionin jo vetëm në nivele politike, por edhe në nivele shoqërore?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›