E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, miting në Durrës: Kërkojmë me forcë largimin e qeverisë

Opozita nisi dje protestën njëjavore nga Durrësi, duke i bërë thirrje Kryeministrit Berisha që të hapë kutitë ose të largohet. Nga Durrësi, kreu socialist, Edi Rama, u fokusua te gjendja e rëndë në të cilën ndodhet vendi, kriza ekonomike, numri i madh i të papunëve, duke u shprehur se gjithçka vjen për shkak të keqqeverisjes. "Punësimi zero, papunësia do të rritet, 800 mijë shqiptarë pa sigurime. 30 mijë familje të reja hynë në skemën e ndihmës ekonomike, por ndihma ekonomike ka filluar të tkurret. Prej muajsh nuk paguhen as mësuesit me kontratë. Sali Berisha e ka kthyer qeverinë për llogari të një familjeje në një oborr ku lidhen dhe zgjidhen fijet e interesave ekonomike të vendit kundër lirisë e konkurrencës", theksoi Rama. Pushteti, vijoi ai, i ndan shqiptarët në tanët dhe të armikut që i fut njerëzit si kope në autobusë e trena, për t‘i çuar në mitingje. Sipas tij, Sali Berisha e ka humbur të drejtën për të qeverisur Shqipërinë jo vetëm se ka grabitur votat, por sepse ka ndaluar hapjen e kutive të votimit, duke shkelur të drejtat e popullit. "Ne do e kërkojmë me forcë largimin e Berishës përderisa kutitë nuk hapen dhe përderisa rrugët për shqiptarët po mbyllen përditë. Hap kutitë ose largohu", vijoi ai. Rama u ndal te përpjekjet e Sali Berishës për të hedhur baltë mbi opozitën, si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga kërkesa e opozitës për të hapur kutitë. "Përpjekja e Sali Berishës për të na konsideruar mafie është përpjekje e dështuar për t‘u thënë shqiptarëve që të mos e ndjekin opozitën, që të mos dalin në protestë dhe të mos kërkojnë largimin e tij", deklaroi duke konfirmuar nga ana tjetër se opozita është më e vendosur se kurrë për ta përballur me grabitjen e 28 qershorit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, e cilësoi si të ligjshme protestën e PS-së. "Ne jemi në të drejtën tonë, sepse jemi shumica, s‘kemi frikë të vërtetojmë. Populli nuk e duron dot më dhunimin e votës, nuk e duron dot këtë qeverisje. Pakënaqësia jonë është interpretim publik i vullnetit të popullit, që s‘duron dot të paguajë më shtrenjtë", nënvizoi ai.

Edison Konomi, kryetar i PS-së, dega Durrës, vuri në dukje se kjo protestë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, sepse jemi në të drejtën tonë. Deputeti i PS-së, Hazir Gashi, deklaroi se përmes kësaj proteste i kujtohet Sali Berishës se opozita është për mbrojtjen e votës së lirë. Sekretari organizativ, Blendi Klosi, vuri në dukje se kjo protestë kaq masive tregon se rezultati i zgjedhjeve nuk pranohet. "Nuk mundet të mos bashkojmë zërin tonë të protestës me të gjithë qytetarët durrsakë, të cilët protestojnë për ngritjen e TEC-it famëkeq. Duke bashkuar zërin me 400 biznese të Durrësit, të cilët nga paaftësia e Berishës dhe Bodes po kalojnë në biznese të mëdha, duke i detyruar ata që të ulin qepenat", u shpreh Klosi. E pafalshme, shtoi ai, që interesat e qytetarëve të këtij qyteti të helmohen nga interesat e qeverisë dhe të familjes, sepse kjo qeveri dhe Sali Berisha nuk dëgjojnë interesat e qytetarëve, por të Fazlliçit. Klosi ftoi të gjithë të bashkohen me protestën tonë: "Hap kutitë ose largohu".

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›