E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimi në Strasburg për qasje më të avancuar të Kosovës në Këshillin e Evropës

Në kuadër të avokimit për pjesëmarrje më të madhe të Republikës së Kosovës në forume multilaterale dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në Strasburg të Francës ka qëndruar Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Gjatë vizitës zyrtare në Strasburg, Zëvendësministri Selimi ka vizituar edhe Këshillin e Evropës, ndërsa ka pasur takime bilaterale përmbajtësore me Ambasadoren e Shqipërisë pranë KE-së, znj. Margarita Gega, Ambasadoren Britanike në KE, znj. Eleonor Fuller, Ambasadorin e Gjermanisë, z. Julius Georg Luym, Ambasadorin e Francës, z. Laurent Doninati, Ambasadorin norvegjez Peter Wille, Konsullin e Përgjithshëm të SHBA-ve, z. Evan Read dhe deputetë pjesëmarrës në Asamblenë Parlamentare të KE-së nga partitë e majta dhe të djathta evropiane.

Zv.Ministri Selimi ka njoftuar bashkëbiseduesit për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe qasjen strategjike të MPJ të Kosovës për hyrje në organizma ndërkombëtare.

Zv.Ministri Selimi, po ashtu, ka theksuar nevojën e qytetarëve të Kosovës që të mbulohen nga ombrella e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, organ juridik ky që shqyrton raste vetëm nga vende anëtare të KE-së.

Bashkëbiseduesit kanë përshëndetur iniciativën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për thellimin e marrëdhënieve, rritjen e pranisë së Kosovës në Strasburg dhe adresimin e çështjeve teknike dhe kushteve formale për Kosovën si parapërgatitje për qasje më të avancuar të Kosovës në KE.

Këshilli i Evropës është trup i veçantë nga organizmat e BE-së, duke pasur në anëtarësi edhe shumë shtete nga ish-Bashkimi Sovjetik që janë kundërshtare të pavarësisë së Kosovës.

Republika e Kosovës dhe Ministria e Jashtme mëton që gjatë 2012 të avancojë pozitën e Kosovës deri në aplikim për anëtarësim të plotë në organizmat ndërkombëtarë, sidomos në organizma ku anëtarët nuk kanë të drejtë vetoje në vendime për anëtarësi të shteteve të reja.

Këshilli i Evropës ka kryesuese të radhës Britaninë e Madhe, ndërsa dy kryesueset pasuese janë Shqipëria dhe Andorra, të gjitha shtete mbështetëse të pavarësisë së Kosovës, gjë që mundëson ambient më pozitiv për argumentet e Kosovës për integrim më të madh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›