E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’kanë pare për sigurime

Krerët e klubeve të Superligës e përshëndesin idenë e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila do t’i obligojë ata që nga sezoni i ardhshëm ta bëjnë sigurimin shëndetësor për çdo lojtar. Mirëpo, drejtuesit e klubeve dyshojnë nëse do të jenë në gjendje të bëjnë harxhime ekstra përpos atyre të rrogave, duke e ditur gjendjen e mjerueshme financiare të tyre.

Drejtuesit e klubeve të Superligës e përkrahin idenë e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila ka njoftuar se nga sezoni i ardhshëm do t’i kushtëzojë klubet për t’i kryer sigurimet shëndetësore për lojtarët e tyre.

Drejtori sportiv i Trepçës ’89, Abedin Zeka, është pro vendimit që t’u dilet në mbrojtje futbollistëve, por dyshon në mundësitë e klubeve të futbollit në vend që t’ua kryejnë shpenzimet e lëndimeve lojtarëve të tyre.

Kjo për faktin që, sipas tij, klubet e Superligës mezi i kryejnë pagesat e lojtarëve e lëre më të mendohet për shpenzime ekstra.

“Ne jemi munduar t’i ndihmojmë sa kemi mundur lojtarët të cilët na janë lënduar. Ideja e FFK-së nuk është e keqe, por duhet të mendojnë për bashkëpunim me institucionet. Duhet të ndahen para prej ndonjë fondi, ngase donatorët janë lodhur duke shpenzuar për klube. Nëse munden ta ballafaqojnë klubet, nuk është ide e keqe”, thotë Zeka.

“Por, nuk duhet t’ia gjuajmë tërë barrën klubeve, ngase udhëheqësit e tyre i japin mjetet vetanake. Është shumë ide e mirë, ngase kështu vepron e tërë bota. Por, kishte qenë mirë që paratë të mund të sigurohen nga klubet, Federata, Ministria e Sportit dhe kuvendet komunale. Ka raste kur ne e lëmë veten keq vetëm për t’i paguar lojtarët, ndërsa këto shpenzime ekstra nuk jam i sigurt nëse janë të afta t’i mbulojnë klubet 100 për qind”, vijoi drejtori i ‘Xehetarëve’.

Edhe drejtori sportiv i Lirisë, Hatmi Gashi, thotë se vendimi i shtëpisë së futbollit kosovar duhet të konsiderohet mjaft i qëlluar, pasi që mbi të gjitha u vjen në ndihmë lojtarëve.

“Futbollistët luajnë dhe i thyejnë ndoshta edhe këmbët. Këtë e bëjnë vetëm për klubin, jo për vete. Andaj, mendoj se është shumë ide e qëlluar që klubet ta kryejnë sigurimin shëndetësor. Ne jemi munduar t’i paguajmë sa kemi mundur shpenzimet, kur janë lënduar lojtarët”, thotë Gashi.

Ndërsa kryetari i Besës, Bakir Burri, e sheh si domosdoshmëri sigurimin shëndetësor të futbollistëve. Ai mendon se klubet duhet ta bëjnë një gjë të tillë, edhe nëse kanë vështirësi në aspektin financiar.

“Është një domosdoshmëri. Lojtarët në Kosovë marrin të ardhura minimale, ndërsa janë të detyruar t’i kryejnë vetë shpenzimet, si për mjekim, ashtu edhe për pajisje, siç janë këpucët sportive. Pa marrë parasysh se a kanë kontratë apo jo me klubet e tyre, vetëm nëse janë të licencuar në Federatë, duhet t’u kryhet sigurimi shëndetësor nga klubet. Sigurimi shëndetësor është mjaft i rëndësishëm, duhet të kryhet edhe përpara rrogave dhe premive”, thotë Burri.

Sigurimi shëndetësor për një lojtar kushton 15 euro në muaj, ndërsa për tërë ekipin mund të shkojë deri në 300 euro në muaj. Kjo shumë është mjaft modeste, kur kihet parasysh se sa i rëndësishëm është shëndeti i lojtarëve. Ndër të tjera, Federata ka njoftuar se futbollistëve do t’u mundësohet shkëputja e kontratën, në rast se klubi nuk ua heq shpenzimet e shërimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›