I vdes pacienti me apendicit, pranga shefit të kirurgjisë
Shefi i kirurgjisë së spitalit të Lezhës, Ndue Çupi u arrestua pas denoncimit të familjarëve dhe ekspertizës mjekoligjore. Ai akuzohet për mjekim të pakujdesshëm të Mark Nokës, që vdiq 7 ditë pas operacionit
Lezhë-Shefi i kirurgjisë së spitalit të Lezhës ka përfunduar pas hekurave nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm të një pacienti”, i cili humbi jetën 7 ditë pas operacionit, si pasojë e komplikimeve, për të cilat familjarët e Mark Nokës dhe prokuroria akuzojnë mjekun. Policia e Lezhës tha se ka arrestuar në orën 03:00 të mëngjesit të ditës së djeshme kirurgun Ndue Çupi, 66 vjeç. “Arrestimi i tij është bërë në banesën e Çupit, pas urdhër-ndalimit të dalë nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë”, - njoftoi policia. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Lezhës mësohet se Çupi akuzohet për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, pasi pacienti që ai kishte kuruar humbi jetën 7 ditë pas operacionit dhe, sipas ekspertizës mjekoligjore, atij nuk i ishte bërë mjekimi i duhur.
Hetimi
Ndue Çupi ka qenë nën hetimin e Prokurorisë së Lezhës që nga muaji prill i këtij viti. Ndërkohë, është pritur konkluzioni i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore për të vendosur mbi arrestimin e tij. Sipas të njëjtave burimeve, Çupi akuzohet nga dy djemtë e Mark Nokës nga lagjja 33 e Laçit, i cili ka ndërruar jetë në spitalin e Lezhës në muajin prill, shtatë ditë pas një operacioni që kishte kryer kirurgu. Sipas hetimeve ka rezultuar se Mark Noka ka gjetur vdekjen nga Tromboembolia pulmonare ( Triomboza) dhe se “mjeku Çupi nuk i ka injektuar atij koaugulantë për hollimin e gjakut”. Ky ka qenë versioni i Mjekësisë Ligjore, çka bashkë me denoncimin e familjarëve ka qenë edhe arsyeja që ka shtyrë organin e akuzës të kërkojë arrestimin për Ndue Çupin. Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se pas denoncimit të viktimës, ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë mbërritur në Lezhë duke marrë edhe kopjen e kartelës së viktimës Mark Noka. Pasi kanë analizuar me kujdes të gjitha të dhënat e vendosura në kartelë, ekspertët kanë vënë re që kirurgu Ndue Çupi nuk kishte përdoruar koagulantë pas operacionit, për të holluar gjakun e pacientit. Ekspertët mendojnë se kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ka çuar në komplikimin dhe më pas vdekjen e burrit.
Operacioni
Mark Noka ishte paraqitur në spital në prill të këtij viti me dhimbje të forta. Nga dëshmitë e familjarëve është mësuar se ai ka shkuar në spital me dhimbje barku dhe pas ekzaminimeve të kryera nga kirurgu është konstatuar se ai kishte plasje të apendicitit. Dëshmitarë kanë thënë se në ato kushte, pas konsultave edhe me mjekët e tjerë, shefi i kirurgjisë, Ndue Çupi ka kryer ndërhyrjen dhe operacioni ka dalë me sukses, apo kështu është menduar në moment. I sëmuri ka qëndruar në spital edhe për 7 ditë të tjera, në mënyrë që të mbahej në mbikëqyrje dhe pas vlerësimeve të fundit mjeku ka vendosur se ai mund të largohej. Ndërkohë, pikërisht ditën e shtatë pas operacionit, kur i ndjeri Mark Noka do dilte nga spitali, atij i kanë nisur dhimbje të menjëhershme në gjoks e trup. Edhe pse mjekët e spitalit të Lezhës së bashku me Çupin janë kujdesur për ta mbajtur në jetë Nokën, ky ka ndërruar jetë pak orë më vonë. Menjëherë pas kësaj familjarët, që duket se kanë dyshuar se diçka nuk kishte shkuar mirë, kanë kryer denoncimin dhe prokuroria ka nisur hetimet, ndërkohë që u ka kërkuar mendim ekspertëve të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Versioni i mjekut: Kam harruar ta shkruaj në kartelë
Vetë kirurgu i marrë në pyetje nga akuza ka mohuar që vdekja të ketë ardhur si pasojë e mjekimit. Ai ka fajësuar kohën e gjatë që i sëmuri ka qëndruar me apendicit të plasur dhe sëmundje të tjera që kanë komplikuar gjendjen e tij. Gjatë marrjes në pyetje, mjeku Çupi në prokurori është shprehur se, përkundër përfundimit të ekspertizës mjekoligjore “e kam përdorur koaugulantin, por që në moment nuk e kam shkruar në kartelë, kjo jo se nuk e kam injektuar, por se ka qenë një punë rutinë që më ka rrëshqitur nga mendja, pasi edhe gjendja e pacientit ishte e rënduar”. “Jam i bindur që ai nuk ka gjetur vdekjen për fajin tonë, por për shkak të komplikacioneve që ka pasur dhe të sëmundjeve e qëndrimit për një kohë të gjatë me apendicit të plasur”, - ka deklaruar më tej mjeku. Ai ka thënë se i vjen keq për humbjen e jetës së pacientit të tij. “Asnjë mjek nuk e dëshiron një gjë të tillë, pasi ne duam t’u japim jetë pacientëve. Unë jam i bindur që edhe familja e të ndjerit është e nxituar në ato çfarë ajo shpreh”, - ka thënë më tej kirurgu.