Mungojnë ambulancat në përballimin e rasteve të urgjencave
Fluksi i pacientëve që vuajnë pasojat e vapës, vazhdon të mbetet në shifra të larta, edhe në Urgjencën e Tiranës. Shefi i urgjencës, Murat Balaj, shprehet se gjatë gjithë sezonit të verës ky numër ka qenë i lartë rreth 60 persona në ditë. Pjesa më e madhe janë persona që vuajnë nga sëmundje kardiake, të cilat gjatë stinës së verës dyfishohen. E ndërsa numri i pacientëve që vuajnë nga vapa rritet, personeli që ju vjen në shërbim qytetarëve nuk është shtuar. Vetëm tre ekipe, që janë në gatishmëri i’u vijnë në ndihmë pacientëve në gjithë kryeqytetin. Pra, nëse në të njëjtën kohë ka disa urgjenca, dikush nga pacientët, duhet të shoqërohet nga të afërmit në urgjencë, pasi autoambulancat nuk mund t’ju vijnë në ndihmë menjëherë. Ndërkohë, përsa i përket situatës me barna, shefi i urgjencës deklaron se nuk ka mungesa. Ndërsa problemi i ambulancave është tepër problematik për qytetarët në rastet e emergjencave. Madje një pjesë e tyre ankohen se shpeshherë ka ndodhur që ambulancat nuk u kanë shkuar në shtëpi kur kanë pasur raste të sëmurëve në familje. Kështu, ata janë detyruar që të marrin taksi për të shkuar në spital. Por, kur rastet janë tepër të vështira duhet patjetër prania e mjekut në momentin e duhur. Në të kundërt pacientët rrezikojnë të humbasin jetën. Madje, në disa raste ka ndodhur që pacientët të humbasin jetën gjatë rrugës për në klinikë. Për të shmangur situata të tilla, mjekët shprehen se duhet t shtohet numri i autoambulancave dhe të privatizohet shërbimi i tyre. Në këtë mënyrë autoambulancat do të jenë në momentin e duhur në vendndodhjen e pacientit dhe njëkohësisht do të jenë të pajisura me të gjitha mjetet mjekësore brenda tyre. Madje kjo ide u shpreh edhe nga ish-ministri, Nard Ndoka, i cili deklaroi publikisht se do të bëhej privatizimi i autoambulancave për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientit. Por, deri tani ende nuk është bërë asnjë hap për këtë çështje. Derisa ky projekt të marrë formën e tij finale, pacientët janë të detyruar të pranojnë këto kushte.
13 Gusht 2008