Kledi Kadiu, i famshëm me përdhunë
Arti nuk na qenka edhe aq universal. Madje, po na shfaqet i parcelizuar bash në vende si Italia, që renditet ndër pararendësit e civilizimit botëror, duke pasur si lokomotivë kryesore artin: Mikelanxhelon, Da Vinçin e gjithë atë skotë poetësh, mendimtarësh, muzikantësh filozofësh, që i dhanë dritë Evropës nëpërmjet Renesansës e shekuj më pas deri në ditët tona. Dy ditë më parë, në fqinjin tonë, është sulmuar dhunshëm një ndër artistët shqiptarë më në zë, balerini Kledi Kadiu. Ndaj, jo më kot, mediat prestigjioze italiane, të shkruara apo televizive, kanë rendur ta intervistojnë atë për të zbardhur të vërtetën e incidentit në detaj. Sipas asaj që ka rrëfyer Kledi, teksa ka qenë në shkollën e tij në Apia, për të ndjekur një vallëzim masiv nxënësish, pas të cilit do të përzgjidhte disa talente, ai është sulmuar nga disa persona, njëri prej te cilëve është treguar më i ashpër, duke e përplasur në tavolinë dhe duke i shfryrë në fytyrë fjalë fyese e kërcënime të tipit "shqiptar i ndyrë, do të të kthejmë në Shqipëri". Ngjarjes së pazakontë i është bërë menjëherë jehonë në shtypin italian, ndërkohë që shumë autoritete zyrtare e kanë dënuar aktin e rëndë. Kledi Kadiu është konsideruar si artisti shqiptar që luan ndër vite dhe "ambasadori" dinjitoz për vendin e tij, në funksion të një imazhi pozitiv për "të pabërat" e disa bashkëkombësve të tij në vendin fqinj. Talenti e ka ngjitur në majat e artit italian, ku nga baleti është transferuar edhe në kinematografi, duke realizuar role në krah të emrave të mëdhenj të Çine Cittas, si Ornela Muti. Në vite, ai ka bërë për vete artdashësin italian, duke marrë statusin e djaloshit të artë, pa e fshehur që është shqiptar. Madje, vetë Kledi ka preferuar të mbështillet me flamurin kombëtar në disa performanca të tij në skenat e spektakleve italiane, për të dhënë mesazhin e artit si diçka universale.