Sëmundjet e veshkave, 400 raste të reja në vit
Doktoresha Jeta Lakrori shpjegon shenjat e sëmundjeve, personat më të rrezikuar dhe këshillat për parandalimin e tyre
Veshkat janë organe sa të komplikuara aq edhe të mahnitshme. Ato kanë role të shumta biologjike, si: rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak si: sodiumi, potasi, fosfori dhe kalciumi; eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë; prodhojnë disa hormone, për shembull, reninën që ndikon në presionin arterial; nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D. Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën dhe shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë. Gjithashtu ato janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë. Në botë më shumë se 10% e popullsisë së rritur apo 1 në 10 persona ka ndonjë formë të dëmtimit të veshkave. Pra, 90% e atyre që vuajnë nga sëmundja kronike e veshkave mbeten të paidentifikuar. Çdo vit, miliona vetë vdesin para kohe nga sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me sëmundjet kronike të veshkave. Prezenca e sëmundjeve kronike të veshkave lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe nga ana tjetër vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë 8 herë më të larta te pacientët me sëmundje kronike të veshkave. Në vendin tonë çdo vit kemi rreth 400 raste të reja me sëmundje kronike të veshkave, si glomerulonefrite, infeksione të traktit urinar, nefropatia diabetike, kalkuloza renale etj. Sëmundjet kronike të veshkave jo vetëm vazhdojnë të rriten në mbarë botën, por edhe po shfaqen në faza mjaft të avancuara. Ato janë cilësuar vrasës të heshtur, mbasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave; që më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre apo të vetë veshkave si dializa apo transplanti. Këto terapi janë invazive dhe jashtëzakonisht të kushtueshme si për buxhetet e kujdesit shëndetësor edhe të familjeve. Pra, sëmundjet kronike të veshkave nuk janë të shërueshme dhe pacienti do të ketë nevojë për përkujdesje për pjesën tjetër të jetës së tij. Sëmundjet kronike të veshkave shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, shpesh të pavlerësuara, si sëmundjet kardiovaskulare të parakohshme, të cilat japin rritje të sëmundshmërisë e vdekshmmërisë dhe kanë kosto të konsiderueshme për kujdesin shëndetësor. Ndaj duhet të vëmë theksin te zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave dhe trajtimi i tyre në kohë, mbasi zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave do të ishte me kosto-efektivi. Të dhënat e mirëdokumentuara tregojnë se sëmundjet kronike të veshkave kanë kosto të lartë.
Shenjat e sëmundjeve të veshkave
Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim:
Ndryshime të urinimit si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit etj.
Shfaqje e edemave (ënjtjeve) në: këmbë, duar apo fytyrë.
Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi.
Këshillat parandaluese
Për parandalimin e sëmundjeve të veshkave duhet të mbani parasysh disa këshilla si:
1. Bëni rregullisht aktivitet fizik
Marrja me aktivitet fizik në mënyrë të moderuar të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur me ritëm mesatar, vrapuar, duke lëvizur me biçikletë etj. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, pasi përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin.
2. Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak
Gjysma e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e sheqerit zhvillojnë dëmtime të veshkave. Pacientet diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën.
3. Matni rregullisht tensionin e gjakut
Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të
veshkave. Pacientët me tension të lartë të gjakut duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike.
4. Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll
Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithëra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë, rreth një lugë çaji dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kriposura ose që përmbajnë shumë kripë.
5. Mos pini duhan
Nikotina dëmton muret e brendshme të enëve të gjakut dhe lejon yndyrat dhe pllakëzat e gjakut që të ngjiten tek to, duke ngadalësuar rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmtimin e funksionimit të tyre. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50%.
6. Mos përdorni ilaçe pa konsultën e mjekut
Shumë pacientë, sidomos të moshuarit bëhen të sëmurë me sëmundje kronike të veshkave pasi përdorin pa kriter apo me shumicë ilaçe antiinflamatore për të qetësuar dhimbje të ndryshme.
7. Bëni ekzaminime
Bëni ekzaminime, nëse jeni në rrezik për sëmundje të veshkave, apo keni një ose më shumë faktorë të lartë të rrezikut.
Personat më të rrezikuar
Sëmundjet e veshkave mund të ndodhin te kushdo, por më të rrezikuar janë:
Personat mbi 50 vjeç
Pacientët që vuajnë nga diabeti
Pacientët që vuajnë me tension të lartë të gjakut
Njerëzit me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave
Njerëzit me mbipeshë apo të dhjamosur
Duhanpirësit
Dializa, 100 fëmijë në pritje të trajtimit
Rreth 100 fëmijë në vendin tonë, që vuajnë nga veshkat, presin t’i nënshtrohen dializës. Kjo është vetëm shifra zyrtare e fëmijëve që kanë probleme me veshkat, por ky numër është edhe më i madh nga ai që raportohet. Kështu shprehet shefi i Pavijonit të Dializës për fëmijë në QSUT, Rezar Xhepa. Ai thotë se aktualisht, në repartin që i mungonte prej vitesh vendit, trajtohen vetëm dy pacientë, por në rast se do të ketë dyndje të pacientëve, me kapacitet aktuale nuk mund të përballohen të gjithë pacientët e vegjël. “Në regjistrin tonë kombëtar për problemet e insuficencës renale kronike figuron një numër që shkon deri mbi 100 të sëmurë, të cilët në mënyrë graduale do të progredojnë drejt një insuficence renale terminale që i detyron të futen në dializë. Atëherë ata do të jenë në stadin për të filluar dializën, reparti është i gatshëm që t’u ofrohet”, - thotë Rezar Xhepa. Shërbimi i dializës u ofrohet falas të gjithë fëmijëve që janë të regjistruar në regjistrin kombëtar, ndërkohë që edhe transporti për këta pacientë rimbursohet nga shteti.