E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naço: Do të ngrihet Enti Rregullator i Karburanteve

SHKRUAN: Sabina Veizaj 11-03-2011 11:47

Ministria e Ekonomisë ka deklaruar se po shihet mundësia e ngritjes së Entit Rregullator të Karburanteve. Sipas Ministrit Naço, ky vendim vjen pas problemeve që janë evidentuar në këtë treg. Naço ka deklaruar se janë 140 subjekte që merren me tregtimin e hidrokarbureve, që do t’i nënshtrohen kontrollit të hollësishëm, në lidhje me cilësinë e produktit që tregtojnë. Do të jenë pjesë e kontrollit, si tregtarët që importojnë dhe ata që shesin me pakicë. Ai i ka kërkuar Inspektoratit Qendror teknik për një fazë të kontrolli të karburanteve, duke marrë emër për emër të gjitha subjektet dhe jo në mënyrë të rastësishme apo selektive. “Jemi të ndërgjegjshëm që cilësia e naftës dhe gazit sot në treg nuk është ajo që duam. Janë 10 propozime për 10 subjekte për t’u hequr licencat sipas ligjit për 30 ditë e pastaj përfundimisht”, - u shpreh Naço. METE ka evidentuar se tregu i karburanteve me pakicë ka probleme, pasi produkti që vjen nga jashtë i ka të gjithë parametrat e cilësisë. Ndërsa tregtarët e vegjël, për të përfituar maksimalisht bëjnë përzierje. Ka qenë kreu i Konfindustrisë, që duke u nisur nga shenjat e dukshme të keqfunksionimit në vazhdimësi të tregut të karburanteve, i ka kërkuar së fundmi zyrtarisht Kryeministrit të vendit krijimin dhe fillimin sa më të shpejtë të veprimit të Entit Rregullator të Karburanteve (ERK). Sipas Konfindustrisë, ERK duhet të shërbejë si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet dhe keqpërdorimet e “cilësisë”, “çmimeve” të karburanteve në qarkullim në Shqipëri, sikundër edhe “licencimet” e operatorëve në tregun strategjik të karburanteve, si tregu më i madh në vend me qarkullim 850 milionë-1 miliard euro/vit dhe me pasoja të drejtpërdrejta të dëmshme në kostot e biznesit, industrive dhe qytetarëve shqiptare. Sipas statistikave të Konfindustrisë, kostot shtesë të drejtpërdrejta nga “cilësia”, “çmimi” dhe abuzimet me “vëllimet” e shitjes për konsumatoret të krijuara në vazhdimësi nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve vlerësohen në mbi 150 milion/vit. Por në të njëjtën kohë, Ministria e Ekonomisë nuk mund të ndërhyjë në treg për çmimet, pasi nuk është në kompetencën e saj. Ndërkohë, që çmimet e karburanteve në treg vazhdojnë të tatëpjetën. Një litër naftë kushton 170 lekë, ndërsa benzina 160 lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›