Boll abuzuat me emrin e Wall Street Journal
E kush e beson se njëherë në dy ditë gazeta e njohur ekonomike Wall Street Journal shkruan për suksesin ekonomik të Shqipërisë?
E besojnë vetëm qeveria dhe mediat e saj. Çdo dy ditë ka nga një titull nga kjo gazetë, ku flitet për suksesin e jashtëzakonshëm të qeverisë Berisha. Të jenë çmendur gazetarët të përditshmes së njohur ekonomike në mbarë botën? Jo, thjesht janë çmendur këta tanët.
Ajo që po ndodh është se në hapësirën blog të kësaj gazete, gjithkush mund të lërë komente. Një forum i hapur për gjithsecilin. Një person i quajtur Sahit Muja, nga vendlindja e Doktorit, që pretendon se ka një firmë në Shqipëri me një xhiro vjetore prej miliarda dollarë, shkruan për suksesin ekonomik të Shqipërisë. Kaq mjafton për të kuptuar çfarë budallallëku po ndodh. Është e tepërt të abuzosh kaq shumë me emrin e një mediaje kaq prestigjioze. Që kjo qeveri ka rënë kaq poshtë sa ka nevojë që imazhin tia përmirësojë Sahit Muja, këtë e dimë, por mos i shisni në media këto lajme, sepse ccdo njeri me një minimum inteligjence e kupton që është një budallallëk.