E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në shkolla, ndëshkime si në futboll

Dhuna në shkollë do të ndëshkohet njësoj si një ndeshje futbolli me kartonë të verdhë ose të kuq, kjo sipas shkallës së thyerjes së disiplinës. Por, ndryshe nga futbolli, arbitri nuk do të jetë asnjanës, por vetë mësuesit dhe nxënësit. Për të reduktuar dhunën në klasa, në shtator, Ministria e Arsimit do të përfshihet në planin “Kombi” nga UNICEF, ku mësuesit do të trajnohen për të mos përdorur më dhunë te nxënësit zhurmues. “Ne do të shpërndajmë disa kartona dhe klasat do të funksionojnë si të ishte një ndeshje futbolli. E thënë më qartë, kartonat e kuq ose të verdhë do të përdoren nga mësuesit sa herë që situata del jashtë disiplinimit. Në momentin që ky karton do të ngrihet nga dora e mësuesit do të kuptohet penalizimi i nxënësve pa vënë dorë mbi të dhe pa e fyer. Nëse problemi është i vogël, do të ketë nga ata nxënës që do të kërkojnë falje, nëse problemi është madhor, atëherë trajtimi i tyre do të bëhet nga psikologët e shkollës”, - thekson këshilltari i UNICEF-it dhe profesor në universitetin e “New Yorkut”, Everold Hosrein. Por, edhe atëherë kur nxënësit thyejnë çdo rregull të të qëndruarit në klasë, mësuesit nuk duhet të vënë dorë mbi ta. Projekti “Kombi” parashikon trajnime të mësuesve në mënyrë periodike duke reduktuar këtë fenomen në shkollat. “Tërheqja e flokëve, e veshëve, apo pickimi janë sjellje që i kemi ndeshur në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Mësuesit e shikojnë si një disiplinë, por që në fakt është një sjellje e gabuar. Në këtë rast nuk përdoret dhunë. Ne kemi konstatuar gjatë bisedave me nxënësit, se këta të fundit kanë pasur shenja dhe të nxira, sepse janë rrahur nga mësuesit. Ka ardhur momenti që këto mos të ndodhin më”, - shton Hosrein. Sipas një studimi të UNICEF-it, në 60% të shkollave tona përdoret dhunë te nxënësit. Kjo do të thotë se ndërhyrjet për reduktimin e këtij fenomeni duhet të jenë emergjente.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›